Powered By Blogger

venerdì 7 ottobre 2022

INTERVISTA ( Gazeta Shekulli Hazis Pasho).Lufta e Shqiptareve,U krijuan 288 çeta.


 Lufta e shqiptarëve, u krijuan 288 çeta



Leonard Veizi

-Kanë qenë jo pak por 288 njësi të vogla luftëtarësh që përndryshe quhen çeta. Kjo ka qenë dhe bërthama e Luftës Antifashiste, mbi të cilën janë ngritur njësitë e rregullta partizane si: batalionet, brigadat, divizionet e më pas korpuset. Në ato vitet të egra lufte ai ka qenë vetëm 13 vjeç, por shtëpia e tij jo vetëm që ka qenë bazë e rëndësishme, por është përfshirë e gjitha në luftën për çlirim. Hazis Tafili, i cili më pas do të mbante poste të rëndësishme në administratë shteterore sjell një histori pak më ndryshe të luftës për çlirim, atë të krijimit të 288 çetave partizane përballë ushtrisë fashiste të Musolinit:

Cili ka qenë formacioni bazë që kanë luftuar shqiptarët gjatë Luftës Antifashiste?

Forma e organizimit të shqiptarëve në luftën kundër pushtuesve kryesisht ka qenë në çeta, të cilat fillimisht kanë mbajtur emrat e fshatrave e krahinave që formonin, kurse në Luftën Nacional Çlirimtare u quajtën Çeta Partizane dhe Territoriale për Vetëmbrojtje. Në librin e misionarit anglez Rinald Hibbert “Fitorja e Hidhur” thuhet: Në vjeshtën e vitit 1942, veprimtaria e guerrilasve ishte bërë e gjallë në popull, kurse në fund të këtij viti kishte rreth 2000 partizanë të organizuar në njësi, plus një numër i madh forcash territoriale ose rezerviste lokale”. Më 5 qershor 1940 në Pezë u krijua çeta e parë partizane jo vetëm në Shqipëri por edhe në Ballkan e Evropë. Ato u shtuan dalëngadalë dhe u shtrinë kudo në Shqipëri pas Konferencës së Pezës më 16 shtator 1942, në përgjigje të thirrjes për t’u bashkuar në luftë kundër pushtuesve “Pa dallim feje, krahine apo ideje”. Në fund të vitit 1942 ishin formuar 24 çeta dhe në qershor 1943 arritën në 288 të tilla. Në këto kushte lindi nevoja të krijoheshin formacione të mëdha ushtarake duke i bashkuar çetat në Batalione. Ky ishte bashkimi i parë në luftërat që ka zhvilluar populli ynë kundër pushtuesve sepse Lufta NAÇl kishte një shtab drejtues në shkallë vendi dhe me degë nëpër zona. Deri më 10 qershor të vitit 1943 u formuan 19 Batalione, të cilat deri në çlirimin e vendit arritën në 96 dhe mbi bazën e tyre u krijuar 27 Brigada, 8 Divizione dhe 3 Korparmata, përveç forcave të shumta në Çetat Territoriale të Vetëmbrojtjes, të cilat kur ishte nevoja mbështesnin në luftime Repartet Partizane. 

Sa çeta kanë vepruan në Tepelenë?

Në ish-nënprefekturën e Tepelenës kanë vepruar dy çeta partizane, të cilat në 10 gusht të vitit 1943 u bashkuan në Batalionin “Baba Abaz”. Në faqen 27 të librit “Grusht Çelik Brigada e 6-të” thuhet: Çetat që formuan Batalionin e 3-të ishin formuar gjatë vitit 1942. Secila çetë ka historinë e vet. Të shkruar me gjak që nga krijimi e derisa u përfshinë në Batalion. Çeta e parë në Tepelenë u formua në 15 dhjetor të vitit 1942 me emrin “Naim Frashëri” me të rinjtë e të rejat kryesisht nga zonat e Krahësit e Buzit, por edhe nga të ardhur të disa fshatrave të Qendrës. Disa ditë më vonë u krijua çeta “Selam Musai” me të rinj e të reja nga zona e Sinanajt. Gjatë Luftës NAÇl, çetat partizane mbanin emrat e figurave të shquara të Rilindjes Kombëtare, personalitete të penës e luftëtarë të çështjes kombëtare. Kështu çetat u përfshinë në përbërje të Batalioneve që u inkuadruan në përbërje të Brigadës së 6 Heroin e Popullit, mbanin emrat e Avni Rustemit, Abdyl e Sami Frashërit, Çerçiz Topullit, Koto Hoxhit, Musa Fratarit etj.. 

Sa do të ishte numri i të rënëve në këtë luftë?

Nga radhët e këtyre çetave në luftime me pushtuesit ranë në fushën e nderit dhe janë shpallur dëshmorë të atdheut 80 partizanë deri kur çetat u bashkuan në Batalionin “Baba Abaz”. Partizanët më trima e të aftë u bënë drejtues të reparteve të mëdha partizane gjatë luftës, e jo pak prej tyre pasi u shkolluan e specializuan brenda e jashtë vendit pas çlirimit u bënë drejtues jo vetëm në sektorin e mbrojtjes, e në shumë fusha të tjerë. Në faqen 26 të librit “Grusht Çelik Brigadë e 6-të” thuhet: Nga fillimi i vitit 1943 të gjitha zonat rreth qytetit të Tepelenës ishin çliruar nga çeta. Mbas kësaj kohe çetat partizane të Tepelenës “Naim Frashëri” dhe “Selam Musai” u bashkuan me Batalionit Partizan të ish-prefekturës Tepelenë të 10 gusht të 1943, në Donie të Kalivaçit dhe iu vu emri i klerikut atdhetar “Baba Abazit”, i cili u pushkatua nga fashistët më 25 qershor ‘43 bashkë me 10 bashkëpunëtorë të tij. Sepse teqeja e Rabies ishte kthyer në qendër propagande e luftë kundër pushtuesve. Çeta e parë në Tepelenë “Naim Frashëri” në mars ‘43 sulmoi e mori komunën e Krahësit, dhe zëvendësoi administratën e vjetër, me përfaqësues të popullit. Po kjo çetë më 25 maj ‘43 mori komunën e Buzit, kurse më 21 qershor ‘43 çeta “Semal Musai” mori në dorëzim komunën e Sinanajt. 

Po Këshillat Nacionalçlirimtare si vepruan në këto zona?

Mbas marrëveshjes së komunave çetat krijuan Këshillat Nacional-Çlirimtare të zonave e fshatrave në përbërje të tyre. Çetat partizane dhe këshillat NAÇL formuan çetat territoriale, zonale e bazë fshati, për t’u mbrojtur nga pushtuesit dhe mbështetur çetat partizane në aksionet që bënin kundër forcave italiane. Këto çeta organizuan debatin politik në 4 maj 1943 tek Rrepat e Dervenit në Memaliaj, me bashkëpunëtorin e fashizmit, njërin nga krerët kryesorë të Ballit Kombëtar, Ali Këlcyrën. Në këtë debat pati pjesëmarrje të madhe të popullit të Tepelenës nga gjithë zonat. Ali Këlcyra që kishte nënshkruar marrëveshjen me italianët për të mos luftuar kundër tyre, bëri çmos të bindë e trembë tepelenasit në sloganet: “Nuk ka ardhur koha të luftojmë kundër italianëve se ne jemi pak dhe të paarmatosur kurse ata janë fuqi e madhe”. Përfaqësuesit lokalë të Luftës NAÇl që organizuan debatin kishin ftuar për ndihmë edhe Mehmet Shehun. Abaz Shehu dhe Mehmet Shehu me fakte e dokumente e demaskuan ashpër Ali Këlcyrën si zjarrfikës të luftës dhe bashkëpunëtorë të fashizmit. Pjesëmarrësit e shumtë pasi i dëgjuan të dyja palët, mbështeti përfaqësuesit e Luftës NAÇL dhe shumë prej tyre u radhitën në çetat partizane duke shtuar numrin e tyre. 

Cilat ishin aksionet më të suksesshme të këtyre çetave?

Deri në pranverë 1943 çetat partizane kishin bërë 22 aksione kundër forcave pushtuese. “Selam Musai” më 25 shkurt ‘43 u përplas me forcat italiane në afërsi të fshatit Turan dhe i shpartalloi ato. Më 26 qershor ‘43 në Mogila të Vasjarit, çeta “Naim Frashëri”, e mbështetur dhe nga të tjerë luftoi ashpër kundër italianëve që donin të futeshin në zonën e Krahësit, duke dëmtuar e zënë rob. Në këtë betejë ra heroikisht dëshmori i parë Qazim Manxhari nga Toçi. Më 14 korrik ‘43 forcat e shumta italiane u nisën nga Tepelena të mbështetur edhe nga njëri me drejtim të zonës së Krahësit duke tentuar për të dytën herë ta pushtonin, por me të mbërritur në Qafën e Miricës, u bllokuan nga çetat partizane të rrethit dhe ato territoriale të fshatrave të zonave Krahës, Buz dhe fshatare të tjerë. Mbas 6 ditë e natë luftimesh të ashpra, italianët u detyruan të kthehen mbrapsht për shkak të pritjes së fuqishme dhe humbjeve të mëdha. Dy ditë pas dështimit në luftën e qafës së Miricës, forca të shumta italiane erdhën nga Berati me synim të futeshin në zonën e Krahësi nga Rabia. Por çeta partizane dhe ato territoriale i pritën në Gllavë me luftë të pandërprerë për 12 orë dhe i detyruan të kthehen nga erdhën. Në Rabie italianët erdhën edhe nga Fieri për t’u futur në Krahës, por për të tretën herë dështuan sepse në këtë fshat janë bërë luftime me 20-25-27 qershor, 20-23 qershor dhe 25 korrik 1943 dhe kanë dhënë jetën 25 dëshmorë të atdheut. Këto përpjekje të njëpasnjëshme të pushtuesve për të pushtuar e kontrolluar zonën e Krahësit kishin të bënin me faktin se atje ishte baza kryesore e Luftës NAÇl e Tepelenës, se atje ishte formuar çeta e parë partizane. Grumbulloheshin, strehoheshin dhe furnizoheshin me ushqime e armatime partizanët që luftonin në Tepelenë dhe rreth saj. Atje shtroheshin e kuroheshin të plagosurit në luftë sepse ishin vendosur dhe funksiononte spitali partizan i Tepelenës që shërbente edhe për zonat përreth. Në këtë zonë u formua edhe Batalioni partizan i rrethit 10 gusht 1943. 

Shtrembërimi i historisë

Hazis Pasho thotë: “Lufta NAÇl është faqja më e ndritur në historinë tonë. Të flasësh, shkruash, mbrosh e përkujtosh atë, është detyrë e nder për secilin që është shqiptar i vërtetë. Mirëpo ka pasur e ka individë që ngjarjet i deformojnë e përdorin sipas interesave. Ka megalomanë që duan të ndryshojnë e të përvetësojnë vendformimin e batalionit partizan “Baba Abaz” të Tepelenës, edhe pse atyre u dhembin akoma këmbët nga rruga e gjatë për të shkuar në Donie të Kalivaçit dhe u ziejnë duart nga duartrokitjet që kanë bërë në përvjetorët e batalionit që festohej me respekt e krenari. Ka individë të tjerë e pasardhës të tyre që bënë Luftën NAÇl që nxjerrin të tjera formacione partizane përveç atyre që kanë vepruar realisht jo vetëm nga mosnjohja, studimi i historisë së asaj kohe dhe mbështetjen me dokumente, por edhe për të dhënë grada për vete e të afërmit e tyre, siç bënte dikur Osman Gazepi. Të pretendosh për një repart tjetër partizan në Tepelenë përveç dy çetave, ato territoriale e batalioni “Baba Abaz” je i detyruar ta mbrosh me fakte e dokumente. Në asnjë dokument të kohës e luftës nuk pasqyrohet ekzistenca e batalionit të rinisë, sepse çdo batalion që ka ekzistuar në ish-nënprefekturat e qarkut të Gjirokastrës u përfshinë në përbërje të Brigadës së 6 S. Por ai nuk ekziston as si emër. Nuk ka asnjë vendim të shtabit të zonës së parë operative që urdhëronte formimin e batalioneve partizane, të caktonte kuadrot ushtarake të tyre, dhe as Komitetit të Partisë qarku Gjirokastër të caktonte kuadrot politikë të tyre. Askush tjetër nuk mund të krijonte batalione partizane dhe të caktonte kuadro drejtuese të tyre. Nga ana tjetër, pas çlirimit nuk ka asnjë rast që të përkujtohet e festohet ekzistenca e informacionit të pretendohet. Ajo që lë shije të hidhur dhe ngjall keqardhje është fakti që në volumin e madh të botuar për historikun e Brigadës së 6-të sulmuese të shkruhet me hollësi bilanci i luftës së batalioneve, emrat e partizane që i përbënin, dhe i dëshmorëve të tyre. Por mungon themeli i tyre, ai i çetave partizane si veprimtari, pjesëmarrës dhe dëshmorë dhe shtabet e tyre drejtuese, të cilat duhet të ishin kapitulli i parë i librit, si të parët pjesëmarrës e drejtues të Luftës NAÇl”. 

Kontributi/ Dëshmorët e Tepelenës 510 djem e vajza

“Shqiptarët janë vetorganizuar në njësi të vogla për të mbrojtur veten, fshatin, zonën e rrethin e tyre me luftë kundër të gjithë pushtuesve, që nga romakët, sllavët, osmanët e deri tek fashistët e nazistët në Luftën II Botërore. Në këto luftëra, populli i Tepelenës ka qenë aktiv e me kontribute të çmuara. Nuk ka pushtues që tepelenasit të mos e kenë pritur me armë, të organizuar në njësi e çeta. Në këto luftëra, nga gjiri i popullit të Tepelenës kanë dalë figura të shquara për mendje, trimëri, atdhetarizëm, me kontribute jo vetëm krahinore por edhe në shkallë vendi. Mjafton të përmendim Ali Pashë Tepelenën, prijësat e dëgjuar të luftëtarëve Tafil Buzi, Selam Musai, Osman Haxhiu e shumë të tjerë gjatë Luftës NAÇl. Kontribuan me çfarë patën dhe bën sakrifica të mëdha sepse u dogjën e u shkatërruan nga pushtuesit. Në formacionet partizane u radhitën 1937 djem e vajza që luftuan brenda e jashtë atdheut që nga fillimi e deri në çlirimin e plotë të vendit. Që nga vitit 1912 e deri në 29 nëntor të vitit 1944 në përpjekje me pushtuesit e huaj për interesat e çështjes kombëtare janë vrarë e shpallur dëshmorë të atdheut 510 djem e vajza nga Tepelena, nga të cilët vetëm 445 në Luftën NAÇl. Prej tyre 6 u shpallën Heronj të Popullit”, thotë Hazis Pasho.


Free Blogger Albert Pasho

Nessun commento:

Posta un commento

Ali Pashe Tepelena dhe qethja luftarake e flokeve.

Qethja luftarake e flokeve (Warrior head shaves), eshte nje praktike e qethjes te flokeve,qe konsiston ne qethjen dhe rruajtjen e flokeve ne...