Më 24 janar 1822, Hurshit Pasha i tregoi Ali Pashë Tepelenës fermanin e rremë të Sulltanit. Ky falsifikim është tipik dhe është paradoksi i librave jo të rremë që do të shkruheshin më pas për Aliun. Më 25 janar Aliu vritet sikurse dhe Leonidha me pak spartanë në Termopile. Iu pre koka sepse ishte pikërisht koka e tij, që ideoi trazira të jashtëzakonshme dhe tërmetet politike dhe ushtarak të Perandorisë Osmane. Askush nuk e ruajti trurin e Aliut, duke ia hequr nga kafka për ta vënë në një vazo laboratori siç bënë fjala vjen me trurin e Ajnshtajnit. Ky tru dinak dhe i çuditshëm u tret brenda kafkës, u vendos më 23 shkurt 1822 në një kamare guri në Stamboll. Aty një dervish shqiptar shkroi këtë mbishkrim: “Këtu është varrosur koka e të famshmit Ali Pashë Tepelena, ish-qeveritar i Janinës, i cili më tepër se 30 vite qeverisi i pavarur në Shqipëri”. Mbishkrimi në osmanisht nuk është pa një ritëm poetik. Ai u shkrua në një gjuhë universale të perandorisë për ta mësuar të gjithë të vërtetën e Aliut. Kjo sintezë epigramatike është synopsi i të gjithë librave që u shkruan dhe do të shkruhen për Ali Pashë Tepelenën. Tri emra gjeografikë janë shënuar në epitaf: Tepelena, Janina dhe Shqipëria. Dy emrat e parë janë qytetesh, njeri i lindjes dhe tjetri i pashallëkut të fuqishëm, kurse emri i emrave është Shqipëria, pa harruar edhe idenë e Pavarësisë.Pa emrin e Shqipërisë, nuk do të kishin asnjë kuptim emrat e tjerë, madje as vetë emri i Aliut të tmerrshëm, ai do të ishte një anonim i rëndomtë dhe i përbuzur nga historia, do të ishte askushi, ne shqiptarët nuk kishim asnjë arsye për t’a kujtuar apo edhe për ta analizuar atë. Ali Pashë Tepelena është një nga shqiptarët që tregoi dhe shpalosi forcën gjenuine të racës dhe genit kombëtar. Nëse në shek. XV Gjergj Kastriot Skënderbeu qe një gjeni i lirisë dhe emri më i ndërkombëtarizuar në botë, katër shekuj më vonë Ali Pashë Tepelena në një formë më të maskuar, më të tërthortë, më kundrathënëse aspiroi një pavarësi vetjake dhe të shtetit të tij, të quajtur konvencionalisht pashallëk, duke u ndërkombëtarizuar si askush tjetër, vetëkuptohet pa e tejkaluar asnjëherë Skënderbeun.Ali Pashë Tepelena është një dukuri e trefishtë: e veprimit historik shqiptar, i kompozimit dhe shtjellimit shtetar të pavarur me konotacione ballkanike dhe i ndërthurjeve të konverguara ndërkombëtare, në raportet evropiane dhe aziatike të ngjarjeve më vigane për shekullin e tij, duke u bërë kështu paralajmërues apokaliptik i shkatërrimit perandorak osman. Më duket Emil Ludvigu ka thënë se të tërë personalitet e mëdha të kohës së Napoleon Bonapartit mund të quhen si personazhe napoleonidë. A ishte Aliu një figurë napeleonide? Pse të ngurrojmë dhe të mos përmendim çka thënë Viktor Hygoi i madh se nëse Napoloni ishte luani, Ali Pashë Tepelena ishte tigri. Pse Napoloni nuk e tha këtë gjë në kontekst me emrat të tjerë? Mos qe kjo një lajthitje? Mos qe kjo një rastësi? Gjeniu Hygo kishte një krenari absolute. Po pse të mos sjellim ndërmend edhe gjeniun Bajron? A nuk është Bajroni trumbeta më e madhe që rrëzoi muret e Jerikosë, të mosnjohjes, për ta skalitur në përjetësi Ali Pashë Tepelenën? E çuditshme është që edhe poeti Gijom Apoliner, në një poezi të tij mbas kaq shekujsh e përmend Janinën, ndonëse jo emrin e Aliut. Duket sikur mjeshtërit më të mëdhenj të letërsisë, pa asnjë urdhër politik kanë ndërmarrë ata nismën më të habitshme dhe më të pazakontë të ndërkombëtarizimit të emrit të Aliut. Nëse shkrimtarët dhe poetët e reflektojnë këtë apel, po historianët, arkeologët, politikanët, pse duhet të heshtnin? Dhe vërtet ata nuk heshtën. Me mijëra janë librat e shkruara për Aliun, një triumf bibliografik i pazakontë dhe i rrallë. Mbas Skënderbeut, Aliu zë vendin e dytë në hierarkinë bibliotekare që lidhet me historinë e Shqipërisë. Librat jo vetëm që janë shkruar, por ato dhe po shkruhen dhe sigurisht edhe do të shkruhen. Një figurë si Aliu nuk mund të ketë vdekje letrare. Vdekja letrare është më e rënda dhe më cinikja për një figurë historike. Nuk është vendi të shkruaj dhe të shënoj me pedantëri bibliofilike emrat e autorëve të huaj, por edhe shqiptarë që kanë shkruar për Aliun. Substanca e këtyre librave në gati 40 gjuhë të botës në kohë dhe në hapësirë të ndryshme është koncentruar edhe në bronzin e skulpturës përgjithësuese të skulptorit Muntaz Dhrami, mikut tim. Simboli i skulpturës nuk ka nevojë për asnjë përkthyes. Librat padyshim nuk mund të lexohen pa ndërmjetësues, prandaj shqipërimi është një parakusht për kuptimin e tyre. Ka qenë i pari Faik Konica, i cili me një skicë lakonike e theksoi idenë e ndërkombëtarizimit të Aliut, si një krenari të kombit shqiptar.Konica më 1902, në 120-vjetorin e vrasjes së Aliut shkruan: “Ali Pasha, i pamësuar, pa shokë, i rrethuar me armiq, arriti vetëm me forcën e vullnetit të tij në një shkallë pothuaj mbretërore. Njerëz, si lord Bajroni, si admirali Nelson, si mbeti Gustaf Adolf i Suedisë e kishin për nder të piqeshin me të. Shqiptarët u ngjallën, u bashkuan, u ndjenë një komb nën sundimin e tij”. Konica është i pari që përkthen fragmente nga kujtimet e princit të Meternikut, kancelar i atëhershëm i Perandorisë Austriake: “Ali Pasha më dërgoi më 3 mars 1812 një njeri të besës me një letër, të cilën duke më lavdëruar shumë, më lutej t’i dërgoja një këshilltar për të bërë një kushtetutë (a kanun themeltar të shtetit) për Shqipërinë… është turp të them se ka akoma shqiptarë, që përpiqen të pakësojnë fytyrat që i dhanë shkëlqim Shqipërisë, në vend që të përpiqen të rrëfejnë se fajet e atyre figurave ishin fajet e kohës, kurse vlera ishte vlera e tyre. Është e vërtetë se kur mendohemi se çfarë shqiptarësh janë ata që duan të mbulojnë me gëlbaza emrin e luanit që i vuri sëpatën Turqisë, shpejt ngushëllohemi…”. Teoria e nihilizmit absolut ose e gëlbazave kundër Aliut funksionon dhe sot. Të mos harrojmë që edhe për vetë Napolonin funksionoi për afro një shekull. Sot është e nevojshme që për dijen historike të bëhet një konceptim i ri i rolit historik të Aliut. Arkivat e Shqipërisë janë gati të zbrazura nga dokumentet autentike që lidhen me të. Muzeu Historik posedon një taç bektashian, që sipas traditës së Kryegjyshatës Botërore, i ka takuar Aliut si dhe veglat e shkrimit prej argjendi të shkruesit të kancelarisë së Aliut. Pothuaj asgjë tjetër. Kush i mblodhi tërë këngët popullore për Aliun? Pse nuk u bë një botim jubilar akademik me disa vëllime me dokumente historike për Aliun? Pse nuk janë bërë kërkime në arkivat e Stambollit apo dhe të vetë Athinës, të Sant Peterburgut dhe të Parisit, të Londrës dhe të Vjenës? Pse të mos ngrihet një muze për Aliun apo dhe skulptura e tij në Tiranë? Pse të mos merret guri i varrit i kokës së Aliut nga Stambolli për ta sjellë në Muzeun Historik Kombëtar krahas gurit të varrit të Abdyl Frashërit, që e kemi apo dhe të Memorialit të Gjergj Kastriot Skënderbeut? Nuk i bëj këto pyetje që t’u përgjigjem vetë, as nuk i bëj këto pyetje që të përgjigjen të tjerët. Mendoj se është një çështje e vetëdijes së përbashkët dhe aspak një zell patetik dhe pakuptim. Ku janë monografitë shkencore apo dhe vepra të tjera arti për Aliun? Si shpjegohet që bota boton pa pushim libra për Aliun? Është e vërtetë që libri i Sabri Godos ka qenë esencial.Për të mos përsëritur thëniet apo citimet e autorëve shumë të huaj për Aliun, unë do të prek disa pika reference pak të njohura. Aliu ka pasur kontakte me princin rus G.A.Patjomkin, (është ai që i dha emrin kryqëzori Potjonki për të cilin bëri filmin më tronditës së të gjithë kohërave Enzenshtejn). Aliu pati korrespondencë me Napolonin si dhe gjeneralin e tij Danzeloh. Kush i ka gjurmuar kanceleritë diplomatike në këtë hulli? Çfarë kanë thënë për të Ushakovi dhe Uliam Hamiltoni? Ç’kanë thënë për Aliun heronjtë e revolucionit grek? Është e vërtetë që për Aliun është shkruar një letërsi e gjerë e llojit të romaneve të Aleksandër Dymasë apo dhe epose poetikë si ajo e Haxhi Sheretit. Po pikturat e gravurat për Aliun pse të mos botohen në një album kushtuar atij?Para ca kohësh më ra në dorë një libër i arkeologut danez. I quajtur Peter Oluf – Bronsted. Libri në anglisht është botuar më 1999 në Angli me titull “Interwes with Ali Pasha”. Kush është ky danez? Ai ka lindur më 1780 dhe ka vdekur më 1841. Ka udhëtuar disa herë në Shqipëri më 1806 dhe 1812. Ai ka qenë një arkeolog i famshëm që ka bërë gërmime në ishullin Kea, në Eginë si dhe në Salaminë, Gjithashtu, edhe në tempullin e Apollonit në Basae. Më 10 korrik 1810 ai erdhi në Korfuz dhe më 25 gusht të këtij viti në Prevezë. Ai takoi Ali Pashën mbasi ishte kthyer nga dasma e Gëtes, ku kish marrë pjesë si mik i poetit gjerman. Pas largimit nga Shqipëria, danezi u takua sërish me Gëten dhe kanë biseduar edhe për Ali Pashën. Ne dimë përshtypjet e Bajronit, por nuk dimë akoma sepse janë të pazbardhura mendimet e Gëtes. Por, le t’i referohem librit të Bron Stedit. Arkeologu danez më 12 dhjetor të vitit 1812 u takua me Aliun në Janinë. Ai ndenji në shoqërinë e Aliut deri në shkurtin e vitit 1813. Bisedën dhe dialogun me Aliun ai e la në një dorëshkrim, që sot ndodhet në Bibliotekën Mbretërore të Kopenhagenit. Bron Stedi qe i shoqëruar nga Konti i Kapadisrias Nikolla De Lunxi. Arkeologu danez përshkruan takimet me Aliun, thotë se qe një burrë në moshë të vjetër, por i jashtëzakonshëm.Apartamenti i Aliut qe me përmasa të mëdha dhe dekore, me tavan oval, me piktura ngjyrë blu dhe me një hartë astronomike yjesh në reliev. Aliu e përshëndeti me dorën e djathtë në gjoks, e pyeti për emrin, vendin dhe arsyen e udhëtimit, gjithashtu i propozoi të flisnin pa përkthyes në greqishten, që e dinin që të dy. Aliu thithte nargjilenë, veshja e tij e çuditshme dhe kapelja në formën e një pileusi bëri që danezi i mahnitur ta krahasonte me Odisenë e Homerit, sepse përputhej diçka me vetë përshkrimin e jashtëm që Homeri bën për Odisenë. Danezi u çudit kur Aliu e pyeti për monarkinë daneze, madje u çudit fare kur i foli për vullkanin e Heklës në Islandë. Aliu e pyeti nëse ky ishull bënte pjesë nën Anglinë apo nën Danimarkën. Shprehu dëshirën e tij të madhe për të marrë vullkane si Etna apo Hekle, “ndonëse ishin larg”. Një pjesë kryesore e bisedës u bë rreth interesit që tregoi Aliu për monumentet antike. Danezi thotë se Aliu i tregoi se birit të tij, Veli Pashës në More, shumë të huaj kryesisht anglezë, i kishin propozuar t’i jepnin para për të bërë kërkime klandestine arkeologjike. Aliu i shprehu danezit se nëse ai do të bënte gërmime në Shqipëri, do t’i jepte shumë njerëz, por duke pasur parasysh që do t’i ndanin bashkë sendet e gjetura, sepse ai, Aliu, ishte kundër ekspeditave dhe vjedhjeve të monumenteve arkeologjike si ato që kish bërë lordi Elgin në Partenonin e Athinës. Është e domosdoshme të nënvizoj këtu se veprimin e lordit Ergin e ka anatemuar ashpër edhe Bajroni në “Çajld Harold”. Mentaliteti i Aliut përputhet kështu me mentalitetin e Bajronit.Danezi tregon me detaje vizitën që bëri bashkë me Aliun në gërmadhat e Nikopojës, pranë Prevezës. Aliu fliste me admirim për fortifikimet dhe teknikën e mrekullueshme të mureve të lashtë. Me nxitjen e Aliut u bënë dy gërmime në Nikopojë për gjetjen e ekzistencës së ndonjë tempulli. U gjetën tri pllaka mermeri, pjesë e një dyshemeje antike, që Aliu me shumë kujdes i vendosi në një karrige të rrumbullakët dhe i mbuloi me pëlhurë për t’i dërguar në Prevezë. U gjetën edhe dy medalje bronzi, që pasi u pastruan, Aliu i mbajti në pëllëmbë, pastaj një ia dha arkeologut dhe tjetrën e vuri në xhep dhe i tha duke qeshur: “Këto do të shtojnë thesarin tënd dhe timin”. Danezi vëren që një pjesë e kolonave prej mermeri të Nikopojës qenë përdorur në xhaminë e Prevezës, madje me mermer antik qe konstruktuar edhe kupola e xhamisë. Mik i danezit ka qenë edhe piktori gjerman Karl Haller, i cili mbasi u takua me Aliun më 1810, botoi disa gravura të Prevezës, të Nikopojës si dhe një tablo të vetë Aliut në rezidencën e tij. Po kështu, edhe arkitekti anglez Cockerell ka bërë piktura për Aliun. Kam parasysh dhe librat e Henry Holland, Tomas Smart, Robert, Parker, apo Adolf Cerlbeer.Historia më e çuditshme që lidhet me Aliun është ajo e një personi historik, që ka qenë figurë e shquar e inkuizicionit në ishullin e Maltës. Ky quhej Guerrini dhe i takonte Urdhrit të Karmëve Këmbëzbathur. Papa Piu i VI e kish dërguar në Maltë si anëtar të Shën Ofisit, si misionar ai kish përhapur Ungjillin në Siri dhe në Palestinë si dhe në Egjipt. Guerrini qe një murg ekstremist, por ai ra rob i Aliut dhe jetoi në Janinë. Meqenëse “zemra e njeriut është një greminë” edhe Guerrini ishte veçse “një Eskovar modern”. Ai u lidh me një nga dervishët bektashianë në një shoqëri të çuditshme dhe tepër intime. Mbas disa kohësh atij iu trondit besimi i krishterë dhe vendosi të hiqte solemnisht dorë nga feja e tij dhe në një ceremoni publike në Janinë u rrethpre, u bë synet dhe mori emrin Mehmet. Aliu e bëri këtë renegat Imamin e pallatit të tij si dhe një nga sekretarët kryesorë, madje më poliglotin. Historia e kësaj ngjarjeje është e denjë për penën e Borgesit. Por sa e sa subjekte të tilla të papritura ende s’janë shkruar. Aliu pati një vdekje fizike para afro 200 vitesh. Duke pasur një ringjallje letrare, ai nuk mund që të ketë më një vdekje historike deri në fund. Amen!
Free Blogger Albert Pasho
Nessun commento:
Posta un commento