Powered By Blogger

martedì 19 settembre 2023

Nacionalizmi Shqipetar dhe Ali Pashe Tepelena si skendija e pare.



 

Pas betejave fitimtare të udhëhequra nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu kundër Perandorisë Osmane në shek. XV, deri në kryengritjet që shpërthyen në pragun e fitores së pavarësisë kombëtare më 28 Nëntor 1912, me qindra kryengritje të armatosura dhe, krahas tyre, lëvizje të pandërprera shoqërore e kulturore mbushën të pesë shekujt e sundimit osman. Me këtë rast mund të shtrohet pyetja: Kur filloi lëvizja kombëtare shqiptare? Qëndrimi i historiografisë shqiptare për këtë problem ka pësuar disa ndryshime. Deri në vitet ‘50–‘60 të shekullit XX, pjesa më e madhe e studiuesve ka përkrahur pikëpamjen, sipas së cilës lëvizja kombëtare shqiptare ka filluar me lëvizjen masive politike e luftarake, që u zhvillua në vitet 1878-1881 nën drejtimin e Lidhjes së Prizrenit, kur shqiptarët të bashkuar luftuan kundër vendimeve të Kongresit të Berlinit për të shpëtuar trojet e tyre nga copëtimi si dhe kundër Portës së Lartë për   të siguruar nga Stambolli pavarësi të plotë ose të paktën autonomi administrative. Historiani Kristo Frashëri, në studimin Mbi fillimet e lëvizjes kombëtare shqiptare, referuar në Konferencën I të Studimeve Albanologjike (Tiranë, 15-21 nëntor 1962), paraqiti mendimin “… se te lëvizja e udhëhequr nga Lidhja e Prizrenit, duhet të shohim jo pikënisjen e lëvizjes kombëtare shqiptare, por një shkallë të re dhe të avancuar të saj, fillimet e së cilës duhet t’i kërkojmë disa kohë përpara, në vitet ‘40 të shek. XIX”. Për fillimet e lëvizjes kombëtare shqiptare në vitet ‘40 të shek. XIX është shfaqur edhe më parë mendimi nga studiuesi Stefanaq Pollo (Pollo, S.: Mbi formimin e kombit shqiptar dhe lëvizjes nacionale shqiptare, Buletini për Shkencat Shoqërore, Tiranë, 1953, 2, f. 32-49) dhe nga ai vetë. (Frashëri, K.: Mbi formimin e kombit shqiptar dhe lëvizjes nacionale shqiptare, Buletini për Shkencat Shoqërore, 2, Tiranë, 1953, f. 51- 67). Është pikërisht kjo kohë kur shqiptarët, duke shprehur aspiratat e forcave të reja shoqërore që tashmë ishin rritur dhe forcuar, filluan     ta shikonin shpëtimin e vendit të tyre te hyrja e Shqipërisë në rrugën   e përparimit nën shembullin e shteteve të qytetëruara të Europës. Zëdhënësi i tyre u bë Naum Veqilharxhi. Veçse Lëvizja çlirimtare që udhëhoqi Ali pashë Tepelena dhe që u zhvillua në kushtet e rënies së Perandorisë Osmane, të shthurjes së marrëdhënieve të vjetra feudale dhe të lindjes së ekonomisë së tregut, të zgjimit të mëtejshëm të ndërgjegjes kombëtare dhe të ndërhyrjeve të Fuqive të Mëdha në gadishullin e Ballkanit, shënoi fillimin e historisë moderne për popullin shqiptar. Megjithëse për një varg rrethanash të brendshme e të jashtme, Shqipëria ishte vendi i fundit në Ballkan që u shkëput nga Perandoria Osmane, ajo që në fundin e shek. XVIII nisi të zhvillohej nga pikëpamja ekonomiko-shoqërore e politike me po ato ritme si Serbia, Greqia, Bullgaria e RumaniaIluminizmi, doktrinë metafizike dhe mistike që bazohet te besimi mbi një ndriçim të brendshëm që frymëzohet direkt nga Zoti, pati idhullin e vet Volterin. Volteri u bë sinonim i lëvizjes kulturore të iluminizmit. Veprat e tij letrare karakterizohen nga qartësia e stilit, ironia, gjallëria e toneve dhe polemika kundër padrejtësive dhe supersticionit. Antiklerikalë dhe laikë, si Volteri, Dideroi dhe ekspontë të tjerë të iluminizmit, konsiderohen si frymëzuesit kryesorë të mendimit racional. Idetë e tyre frymëzuan dhe ndikuan shumë mendimtarë, politikanë dhe intelektualë, protagonistë të Revolucionit Amerikan dhe Francez. Lëvizja e iluminizmit që pat lindur në  Francë  në  shek.  XVIII, pasi kishte rrezatuar në gjithë kontinentin europian, u përhap edhe në Ballkan si një lëvizje ideologjike, filozofike, linguistike, kulturore dhe filologjike.“Krahas fenomeneve shoqërore e politike, shekulli XVIII shënon fenomene me interes edhe në fushën e arsimit dhe të kulturës. Veçanërisht është për t’u përmendur qyteti i Voskopojës, me popullsi shqiptare e vllahe, si qendër tregtare e kulturore me rëndësi që i kalon kufijtë e Shqipërisë, me kishat e tij të stolisura me afreske murale dhe me tipografinë dhe Akademinë e tij. Këtu veprojnë një sërë mësuesish eruditë, vendës e të ardhur nga vise të tjera. Nuk mungojnë në Voskopojë, si dhe në qendra të tjera, një varg impulsesh të ardhura nga Perëndimi. Duhet përmendur këtu roli pozitiv që luajti shkolla dhe arsimi, ndonëse në gjuhën greqisht. Nëpërmjet tyre filluan të përhapeshin idetë përparimtare të antikitetit klasik dhe të Europës Perëndimore. Kështu filloi të lëshojë rrënjë edhe në Shqipëri ajo lëvizje e përgjithshme kulturore iluministe që përshkoi viset e tjera të gadishullit, në të cilën shqiptarët morën pjesë me një figurë të shquar si Teodor Kavalioti (1713-1797)”. (Buda, Aleks, po aty, f. 20).Në shek. XVIII, një pjesë e qyteteve shqiptare, si Shkodra, Janina, Prizreni, Prishtina, Elbasani, Berati njohën një zhvillim kulturor të dukshëm për kohën. “Qytetet tashmë të pasuruara, pajisen me ndërtesa monumentale dhe me saraje të oxhakëve fisnikë. Në këto qytete zhvillohet një tip i ri letërsie me germa arabe e sipas modeleve orientale, por në gjuhën popullore shqipe. Një letërsi kjo shpeshherë laike, në të cilën nuk mungojnë elemente realiste”. (Buda, A., po aty, f. 22).“Ky zhvillim qe më i theksuar në qytetin malor të Voskopojës, një nga më të rëndësishmit e vendit në atë kohë, që në saje të zejtarisë  dhe të tregtisë në shek. XVIII ka pasur rreth 25,000-30,000 banorë dhe, si qendër e një krahine etnikisht shqiptare, banohej nga shqiptarë dhe vllehë. Kulmin e lulëzimit e arriti gjatë mesit të shek. XVIII, kur ndryshe nga qytetet e tjera, gëzonte njëfarë autonomie. Një rrethanë e tillë lejoi që të ardhurat e realizuara të shkonin edhe në dobi të zhvillimit zejtar e tregtar të qytetit. Voskopojarët kishin marrëdhënie tregtare me disa vende të Ballkanit e të Europës Perëndimore e Qendrore, ku kishin vendosur agjenci dhe më pas disa koloni të tyre. Prej këtyre kolonive, që mbanin lidhje me vendlindjen, depërtuan ndikime të ndryshme kulturore të Europës së përparuar. Voskopoja u bë një nga qendrat kulturore më të përparuara të Shqipërisë dhe të Ballkanit në tërësi.Për t’iu përgjigjur nevojave në rritje të zhvillimit ekonomik të banorëve, shkolla fillore e Voskopojës (1710) me përpjekjet e Teodor Kavaliotit u ngrit në rangun e një gjimnazi laik dhe u quajt Akademia e Re (1744). Ndër rektorët e parë të Akademisë kanë qenë vendësit, filozofi T. Kavalioti (1718-1797) me origjinë nga Kavaja, M. Gorani dhe G. Voskopojari (fundi i shek. XVII-1772), autor dhe redaktor i librave që botonte shtypshkronja e qytetit e hapur më 1730”. (HPSH, I, Toena, Tiranë, 2002, f. 706)Teodor  Kavalioti, mendimtar dhe filozof iluminist, mësimet e para  i mori në vendlindje dhe i plotësoi në Janinë. Pas studimeve u kthye në Voskopojë ku zhvilloi veprimtari pedagogjike, fillimisht si mësues (1743) dhe më pas si drejtor i shkollës (1746). Nga veprat e hartuara prej tij si tekste mësimore janë ruajtur dorëshkrimet greqisht Logjika (1743), Fizika (1752) dhe Metafizika (1767). Ka botuar edhe disa gramatika të greqishtes, fjalorë trigjuhësh (greqisht, shqip, vllahisht) dhe tekste të tjera leximi.“Pikëpamjet iluministe të Kavaliotit, nëpërmjet të cilave ai vuri në dukje forcën e madhe njohëse të arsyes, kishin, megjithatë, karakter abstrakt, sepse nuk u lidhën drejtpërdrejt me problemet themelore shoqërore dhe me detyrat e çlirimit kombëtar. Por, mbështetja e iluminizmit dhe e njohurive bashkëkohore shkencore i përgatiti nxënësit e tij, siç u provua më tej, që të zotëronin një pasuri të madhe intelektuale e teorike. Kjo i çoi mjaft prej tyre në veprimtari shoqërore të dobishme për çlirimin nga zgjedha osmane. Vepra pedagogjike dhe teorike e T. Kavaliotit është dëshmi e një jete intelektuale e kulturore në vendin tonë gjatë shekullit XVIII, që u pasurua më tej në shek. XIX”.  (Uçi, Alfred: T. Kavalioti, FESH, Toena, Tiranë, 2008). “Bartësit e ideve iluministe të Akademisë së Re ranë ndesh me Patriarkanën e Stambollit, që ngulmonte në paprekshmërinë e traditave dogmatike të kishës në fushën e arsimit e të kulturës. Megjithatë idetë e reja përparimtare depërtonin në shkolla edhe pse këto qenë nën drejtimin e klerit. Ato ide i bëri të vetat edhe një pjesë e përparuar e klerit që luftoi për to dhe u rrezikua nga kisha. Zhvillimi i kulturës në Voskopojë shënoi një hap me rëndësi në përparimin e përgjithshëm kulturor të vendit. Duke futur shkencën pozitive në programet mësimore, dijetarët voskopojarë i dhanë një goditje konservatorizmit të kulturës feudale dhe kontribuan në lindjen e iluminizmit shqiptar. Në Voskopojë vinin të mësonin djem nga Vithkuqi, Berati, Elbasani dhe qytete të tjera të Shqipërisë, shumica e të cilëve bëheshin mësues në vendlindjet e tyre. Të tillë kanë qenë Dhaskal Todri i Elbasanit, autor i një alfabeti origjinal dhe i disa shqipërimeve, Kostë Ikonomi i Beratit, autor i teksteve edhe në shqip, Evstrat Vithkuqari me shokë, që vepruan në shek. XVIII-XIX. Voskopoja ishte gjithashtu edhe qendër e lëvrimit të shqipes. Gjuhën shqipe nuk e shkruanin vetëm Kavalioti, Adam Haxhiu dhe Grigori, por edhe të tjerë. U arrit gjithashtu të shqipëroheshin Dhiatat dhe të përdorej jo vetëm alfabeti grek, por edhe një alfabet i krijuar posaçërisht për shqipen”.( HPSH, I, Toena, Tiranë, 2002, f. 707)Janina, që quhej nga udhëtarët e huaj të shekullit XVIII “qytet i pasur tregtar”, në kohën e Ali Pashës, duke u shndërruar në një qytet zejtar e sidomos tregtar të dorës së parë, si edhe qendra administrative e një pashallëku të madh, u bë gjithashtu qendra tregtare ndërkrahinore më e rëndësishme në Ballkanin Jugperëndimor. U rrit dhe u fuqizua borgjezia tregtare si dhe shtresa e pronarëve të mëdhenj të tokave, pasurimi i të cilëve u duk sidomos në ndërtimet publike me karakter urban dhe ekonomik. Rrugët që u mbushën me ura dhe hane, shprehnin gjallërinë e lidhjeve ekonomike. Janina zhvillohet si një qendër e rëndësishme ekonomike. Merr hov prodhimi i armëve, përpunimi i lëkurëve dhe në mënyrë të veçantë prodhimi i peliçeve. Për atë kohë këto tre aktivitete kishin karakter industrial. Kështu, p.sh. në Janinë funksiononin rreth 100 punishte për prodhimin e peliçeve dhe në secilën prej tyre ishin të punësuar mbi 40- 50 punëtorë. Nga Janina eksportoheshin për në Europë mjaft prodhime, ku vendin e parë e zinin lëkurët dhe peliçet. Në këtë mënyrë qyteti i Janinës ishte tregtar dhe industrial dhe krahasohej me Marsejën e Francës, si për numrin e banorëve ashtu edhe për tregtinë që zhvillonte. Gjatë kësaj periudhe Janina po lulëzonte jo vetëm si qendër e madhe ekonomike, por edhe si vatra kryesore kulturore e Ballkanit Jugperëndimor. Janina në kohën e Aliut u bë e famshme gjithashtu edhe për shkollat e bibliotekat e saj. “Shkollat greke në Janinë nuk u penguan nga Ali pashë Tepelena. Përkundrazi, ai e mbrojti përhapjen e arsimit grek dhe shpesh i këshillonte peshkopët e krahinave të tij të interesoheshin për zhvillimin e tyre. Pranohet edhe nga studiuesit grekë se zhvillimi i arsimit në Janinë i parapriu rilindjes së arsimit në mbarë Greqinë. Sukseset e shkollave në Janinë nuk do të arriheshin pa ngritjen e shtëpive botuese, që në të vërtetë ishin filiale të shtëpive botuese të Venedikut. Prej Venedikut librat dërgoheshin në Janinë nëpërmjet Korfuzit dhe Sajadës. Kështu Janina u bë edhe qendra kryesore tregtare për shpërndarjen e librave”. (Liço, Filip: Probleme të marrëdhënieve greko-shqiptare, Neraida, Tiranë, 2009, f. 87-103).Aliu kishte për qëllim të civilizonte, kulturonte dhe arsimonte shqiptarët nëpërmjet shkollave greke të vendosura kryesisht në Janinë, derisa shqiptarët ende nuk kishin të tilla. Në vitin 1814, për herë të parë në Perandorinë Osmane Aliu lejoi shfaqjet teatrale, ndërkohë që inteligjencia e re diskutonte lirshëm nëpër sallat e sarajeve të tij për probleme politike, historike, gjeografike, artistike dhe shkencore të kohës. Studiuesi Hasan Ceka (1900-1998), një nga themeluesit e arkeologjisë shqiptare, ka dëshmuar për veprimtarinë e një grupi arkeologësh shqiptarë dhe të huaj të ngritur nga Ali pashë Tepelena, që kanë kryer kërkime arkeologjike në Apoloni. Janina, duke qenë nyjë e gjashtë rrugëve tregtare që e lidhnin jo vetëm me qytetet e tjera të Shqipërisë, por edhe me Maqedoninë e Greqinë, i kishte të gjitha kushtet e duhura gjeografike dhe ekonomike për t’u bërë një qendër shumë e rëndësishme administrative dhe ekonomike. “Në rrugët e Janinës shikoje elementë të një shoqërie të re, që do të shfaqej me dinjitet edhe jashtë Shqipërisë, në ndonjë kryeqytet tjetër të Evropës”. (Boppe, A.: L’Albanie et Napoleon, Paris, 1914, f. 81)Ndërsa studiuesi J. Bartoldi na bën me dije se: “Të gjithë të huajt që vizituan Janinën, vlerësuan përparimin e shkëlqyer dhe befasues kulturor, shpirtëror dhe ekonomik të këtij qyteti”. (Bartholdy, J.,Voyage en Grece, faite dans les annees 1803-1804 , Paris, 1807, f. 170). Filip Liço në librin me titull Probleme të marrëdhënieve greko- shqiptare, shkruar në gjuhën shqipe, paraqet edhe këto probleme: “Epiri, me kryeqendër Janinën, sipas historianit minoritar grek, kishte njohur një përparim ekonomik… para Ali pashë Tepelenës”. (Liço, Filip: po aty, f. 99).  Por S. P. Cockerell, i cili vizitoi Janinën në vitin 1814, ka dëshmuar të kundërtën: “Numri  dhe  pasuritë e dyqaneve të Janinës më befasuan. Begatia e biznesi janë të tilla sa unë nuk i kam parë që kur kam lënë Kostandinopolin. Ne mësuam se kur Veziri u vendos fillimisht në Janinë, më 1787, gati 27 vjet më parë, nuk kishte më shumë se gjashtë, shtatë dyqane në atë vend, ndërsa tani janë më shumë se 2000. Qyteti është rritur pafundësisht dhe ne kaluam përmes lagjeve të ndryshme të qytetit të cilat janë tërësisht të reja”. (Cockerell, S. P.: Travels in.          , f. 236, në Koçollari, I.: Policia sekrete…, I, f. 240). Më poshtë Liço vazhdon me këmbëngulje: Shqiptarët janë vendosur në Janinë vetëm gjatë kohës kur sundonte Aliu. (Liço, F., po aty, f. 100).Me këtë rast po paraqes marrëveshjen lidhur me shqipërimin e Dhjatës së Re nga greqishtja e vjetër. Kjo marrëveshje me tri pika u nënshkrua më 19 tetor 1819 nga Robert Pinkertoni, përfaqësues i Shoqërisë Biblike Britanike dhe dr. Vangjel Meksi, ish-mjeku i Ali pashë Tepelenës. Në pikën 3 të marrëveshjes është shkruar se: “Dr. Vangjel Meksi zotohet të përkthejë Dhiatën e Re nga teksti në greqishten e vjetër në gjuhën shqipe, në përputhje me idiomën e shqiptarëve ashtu siç flitet në Janinë”.Kjo do të thotë se shqiptarët e Janinës ishin të shumtë, përbënin pjesën kryesore të qytetit dhe si autoktonë që ishin, ata kishin dialektin e tyre të veçantë të gjuhës shqipe.“Studiuesi grek Georgos Gatsos shkruan se është merita e padiskutueshme e Ali Pashës, i cili, me gjithë vështirësitë e brendshme të organizimit shtetëror osman, me gjithë mjerimin kulturor dhe arsimor të trashëguar tek populli i tij, me kurajon e një misionari dhe furinë e një të rebeluari nxiti dhe frymëzoi turma të tëra të braktisura në mjerim dhe injorancë drejt një jete të re, më të gjallë, drejt transformimit të tyre moral, arsimor dhe kulturor”. (Cituar nga Koçollari, I.:Vaje për Ali Tepelenën, 2011, f. 16).Në Oborrin e Janinës iluministët grekë, nën mbrojtjen e Ali Pashës, gëzonin favoret e tij në shkëmbim të shërbimeve që ofronin. Oborri     i Aliut përfaqësonte një mikrokozmos ballkanik ku veç iluminizmit grek ka zanafillën e vet edhe ringjallja shpirtërore e shqiptarëve, që dalëngadalë nga një elitë ushtarake dhe e ushtrimit të forcës do të përpiqej të shndërrohej edhe në një elitë politike e kulturore. Konsulli britanik në Janinë, Martin Lik, dëshmon se “Nën qeverisjen e Ali Pashës, Janina u bë edhe kryeqyteti letrar i kombit grek. Kolegjet, libraritë dhe shkollat lulëzuan aty dhe shijuan lirinë që e meritonin”.Siç dihet, Ali pashë Tepelena  arriti të bëhej Pashai i Janinës dhe  më vonë të kundërshtonte Portën e Lartë si sundimtar i fuqishëm i territoreve të Shqipërisë së Jugut dhe i një pjese të madhe të territoreve greke. Synimin e tij e realizoi jo duke kërkuar nga Porta e Lartë postin e guvernatorit, por duke e marrë me forcë atë. Ai nuk e kishte origjinën nga ndonjë familje fisnikësh apo oxhak i vjetër shqiptar si bashkëkombasit e veriut, Bushatllinjtë e Shkodrës, por ishte vetë ai që formoi një tjetër dinasti të madhe feudale shqiptare. Ai përfaqësonte fisnikët e rinj të tokës që u pozicionuan kundër administratës otomane, e cila deri në atë periudhë përvetësonte pjesën dërrmuese të taksave që vileshin në Shqipëri.Feudalët otomanë që ushtronin pushtetin në krahinat shqiptare dhe krahinat e tjera ballkanike, nëpërmjet sistemit të spahinjve kërkonin ta ruanin dhe ta konsolidonin këtë sistem. Kundër këtyre përfaqësuesve të huaj që qeverisnin vendin, u ngrit ajo pjesë e feudalëve shqiptarë që, falë transformimeve ekonomike dhe sociale si dhe thellimit të krizës që po përfshinte Perandorinë Otomane, pati ndryshime të brendshme të thella. Nga fisnikët e rinj shqiptarë të tokës, të konsoliduar ekonomikisht si rezultat i përfitimeve të konsiderueshme që buronin nga sistemi i ri i çifligjeve, u dallua veçanërisht përfaqësuesi i tyre më energjik, Ali pashë Tepelena. Konsolidimi ekonomik i Ali Pashës dhe familjes së tij u arrit veçanërisht nëpërmjet aktivitetit ekonomik, tregtar, financiar dhe në përmasa më të kufizuara edhe nga postet administrative të rëndësishme që kishin kapur familjarët e tij. Si rrjedhim, Ali pashë Tepelena u bë një nga njerëzit më të pasur të Perandorisë Otomane.Ali Pasha krijoi një bazë sociale solide ku edhe u mbështet. Ajo ishte shtresa e re e feudalëve shqiptarë që përvetësoi pronat të cilat më parë u përkisnin spahinjve turq dhe familjeve të mëdha feudale shqiptare të lidhura me Stambollin, kundër të cilëve u vërsul menjëherë Pashai i Janinës. Identiteti kolektiv ku Aliu e gjente veten ishte ai që rridhte nga tradita e vjetër luftarake shqiptare dhe nga fisnikëria që lidhej me të. Cilido  të ishte shteti që ai kishte në mendje të ndërtonte, sigurisht që do të dominohej nga kjo elitë fisnike dhe ushtarake shqiptare. “Pra, ai ishte përfaqësues i asaj shtrese të re të pronarëve të tokës  që lindi në procesin e shpronësimeve të feudalëve të mëdhej, të cilët    i zhduku ose i detyroi të largoheshin. Një numër i madh feudalësh të vegjël, agallarësh e bejlerësh shqiptarë, të cilët në periudhën e anarkisë feudale kishin vuajtur dhe ishin detyruar të siguronin jetesën me grabitje e mënyra të tjera analoge, u hodhën në krahun e Aliut me të gjitha forcat që kishin në dispozicionin e tyre. Kjo pjesë në përgjithësi nuk kishte pretendime për pushtet, lidhjet e saj me Portën ishin të dobëta, prandaj mund të bëhej dhe në të vërtetë u bë mbështetje shoqërore më e sigurt për sundimin e Aliut. Ai i përkrahu këta ekonomikisht, u dha poste politike dhe i përdori për realizimin e qëllimeve të tij”. (Gjika, Grigor, po aty, f. 226).Politika e Ali pashë Tepelenës  nuk  kishte  për qëllim përmbysjen e regjimit feudal dhe klasës feudale në përgjithësi. Por ajo shënoi dobësimin ekstrem të pozitave ekonomike dhe politike të një pjese të klasës feudale shqiptare, e integruar në administratën osmane dhe e lidhur me Stambollin falë interesave ekonomikë, ideologjikë dhe fetarë. Ali Pasha nuk u ndal në rrugën e tij për të goditur feudalët shqiptarë në shërbim të Portës së Lartë dhe për të mbështetur ata feudalë që u grumbulluan rreth tij. Ndërkohë, Ali Pasha bëri përpjekje për të ngjizur një bërthamë shqiptare territoriale, ekonomike, administrative, politike, kulturore, pra thelbin e shtetit komb të ardhshëm shqiptar.“Duhet theksuar se pushteti i Ali Pashës vështirë do të konstituohej pa mbështetjen sociale të borgjezisë tregtare, pavarësisht karakterit etnik. Bashkimet e trojeve shqiptare dhe jo vetëm shqiptare, për të formuar njësi shtetërore feudale me përmasa të konsiderueshme, që garantonin paqe dhe mirëqenie, ishin jo vetëm të nevojshme për klasën e çifligarëve të rinj, të lidhur me tregjet e brendshme dhe të jashtme, por edhe për qytetarët dhe fshatarët e zakonshëm që më shumë se të tjerët vuanin nga arbitrariteti feudal”. (Mile, Ligor, po aty, f. 151)Ali pashë Tepelena nuk e zgjodhi rastësisht Janinën për kryeqendër të pashallëkut të tij ose si kryeqytet të vilajetit, që u quajt Vilajeti i Janinës. Dihet se ky qytet ishte një nga qendrat kryesore ekonomike të Greqisë Perëndimore dhe të Shqipërisë së Jugut, ku zhvillonin veprimtarinë e tyre tregtarët grekë dhe shqiptarë, të cilët ndihmuan Aliun që të merrte pushtetin dhe u bënë aleatë të tij në luftë kundër anarkisë feudale.Gjatë periudhës së ekzistencës së Shtetit të Janinës, borgjezia tregtare shqiptare ishte duke u formuar dhe po përpiqej të organizonte luftën e saj ekonomike dhe politike. Megjithatë ajo nuk arriti të bëhej një mbështetje solide sociale dhe politike për Aliun. Një mbështetje më efektive Ali Pasha gjeti te borgjezia greke, por edhe me të nuk arriti një marrëveshje përfundimtare në sferën sociale dhe kombëtare. Pra, Ali Pasha nuk arriti të siguronte një mbështetje të plotë as nga borgjezia shqiptare në formim e sipër, as edhe nga borgjezia greke tashmë e formuar. Në rrethanat ekzistuese, për nevoja reciproke dhe për një periudhë të caktuar mund të jetë arritur një aleancë ose një kompromis i pashkruar ndërmjet Ali pashë Tepelenës, përfaqësuesit më të fuqishëm të fisnikërisë së re të tokës, me borgjezinë greke dhe shqiptare.Pushteti i Ali Pashës mbështetej te shtresa e re e pronarëve shqiptarë të çifligjeve, që ishte e lidhur ngushtësisht me tregun, si edhe me borgjezinë tregtare shqiptare dhe paraqiste objektivisht rrugët e kompromisit midis regjimit feudal që po shkërmoqej dhe regjimit kapitalist në lindje.Të gjitha studimet e huaja të kohëve të fundit që trajtojnë shpërbërjen e Perandorisë Osmane i kanë dhënë rëndësi të veçantë faktorit fetar, duke lënë ndoshta pas dore disa elemente të tjera edhe më të rëndësishme. Studimet për fazën e fundit të perandorisë janë përqendruar kryesisht në sistemin e miletit, duke e parë atë si një pararendës të shteteve moderne kombëtare. (Karpat, 1982, Palmer, 1992, cituar tek Flemming, K.: Bonaparti mysliman, Dituria, Tiranë, 2003, f. 81).Sipas tyre, tranzicioni nga perandoria në shtete moderne kombëtare është parë si një përfundim i natyrshëm i sistemit me baza fetare të mileteve. Kjo teori vërtet mund të shpjegojë evolucionin drejt shteteve moderne kombëtare të kombeve, popullsia e të cilave përfshihej në një milet të vetëm, por jo evolucionin e popullsisë shqiptare që praktikonte tri fe dhe ishte e ndarë në tre milete të ndryshme. Për shqiptarët ndoshta duhet aplikuar modeli i ekonomisë së tregut i tipit perëndimor që realizoi Aliu gjatë kohës së tij. Pasi u emërua Pasha i Janinës, pa u vonuar, Aliu, para të tjerëve, ndryshoi strukturën e pronësisë mbi tokën. Gjatë udhëtimit të tij të parë në Shqipëri (1804), Liku ka dëshmuar se atëherë “Ali Pasha ua kishte rrëmbyer tokat spahinjve që ishin kryesisht osmanë, duke minuar në këtë mënyrë sistemin e vjetër të timareve të Perandorisë Osmane”. (Leake, W. M.: Travels Northen Greece…, 1835, f. 112).Për të realizuar planin e tij ai përdori mënyra të ndryshme. Pronarët turq u detyruan të largohen meqenëse detyrimet u rritën disa herë, kurse në raste të tjera Aliu ua bleu tokat pronarëve pa trashëgimtarë ose kaloi në pronësi të vet tokat bujqësore të lëna djerrë. Në vazhdim Aliu u përpoq t’i popullojë ato me malësorë të ardhur nga malet pranë. Në disa raste jo vetëm që populloi toka të lëna djerrë e të shkretuara, por ngriti mbi to edhe fshatra e qytete të reja. Si rrjedhojë, pronarë të tokave nuk vazhdonin të ishin turqit. Pronarë tashmë ishin shqiptarët. Këto ndryshime të shkaktuara nga politika ekonomike, së bashku me qëndrimet dhe opinionet e përbashkëta të shqiptarëve që ekzistonin prej kohësh, çuan në lindjen e shumë grupeve protonacionaliste që përcaktoheshin nga faktorë të ndryshëm, përmes të cilëve shqiptarët gjenin identitetin e tyre të përbashkët.Pikërisht në këtë kohë klasa feudale shqiptare dhe shqiptarët në përgjithësi vendosën një lidhje më të ngushtë me territorin që zotërojnë duke shënjuar kështu fillimet e një prej elementeve të nacionalizmit.“Ndryshimi radikal në pronësinë e tokës në favor të fshatarëve autoktonë shqiptarë si dhe të malësorëve tashmë të vendosur në fusha, u shoqërua me një transformim të gjerë socio-politik që qëndronte në themel të lindjes së nacionalizmit tek shqiptarët, por edhe tek grekët që banonin brenda kufijve të shtetit të Ali pashë Tepelenës. Në procesin e shpronësimit të bejlerëve turq nga tokat e tyre, në zotërimet e Aliut u realizua zëvendësimi i kategorive të vjetra shoqërore me parime të reja organizimi dhe dalja në plan të parë e treguesve tradicionalë të formimit të bashkësisë si gjuha, etnia dhe besimi fetar”. (Flemming, K.: Bonaparti mysliman, Tiranë, 2003, f. 79)Në këtë rast mund të bëhet një korrigjim i rëndësishëm që do ta trajtojmë hollësisht edhe më poshtë. Ndër këta tre faktorë, shqiptarët kishin pranuar kohë më parë, por edhe më fort në kohën e Aliut, përparësinë e kombit të tyre dhe të gjuhës amtare mbi fetë në përgjithësi. Këta faktorë identiteti, kombi dhe gjuha e përbashkët, përcaktonin kategori të ndara qartë midis tyre dhe të vendosura sipas përparësive, veçanërisht kur bëhej fjalë për procese të rëndësishme shoqërore, ekonomike ose politike që përcaktonin fatet e atdheut. Popullsia shqiptare e krishterë e Sulit për t’u mbrojtur nga ushtritë e Aliut në luftëra të përgjakshme që zgjatën 10-15 vjet, i gjente aleatët e vet mes popullsisë greke-ortodokse të rajonit. Kurse gjatë luftës finale kundër perandorisë (1820-1822), Aliu u bëri thirrje suljotëve duke iu përmendur ndër të tjera edhe origjinën e përbashkët shqiptare dhe ata menjëherë u bënë pjesë e koalicionit antiosman që u përpoq të formonte Aliu.Ali Pashës duhet t’i njihet merita e përzgjedhjes, përgatitjes dhe krijimit të kushteve optimale në realizimin e studimeve për lëvrimin   e gjuhës shqipe. Të tilla kushte u krijuan për grupin e studiuesve të përbërë nga epirotasi dr. Jan Vellarai si edhe nga shqiptarët dr. Vangjel Meksi, Evstrat Vithkuqari dhe Stefan Postenani, autorë gramatikash, drejtshkrimesh dhe fjalorësh të gjuhës shqipe. Nëpërmjet epirotasit tjetër, filologut Athanas Psalidha, të cilin Ali Pasha e shpalli hapur se ishte nën mbrojtjen e tij pasi u informua se Patrikana e kishte quajtur “volterist”, u krye me sukses modernizimi i shkollave greke që u shërbenin si grekëve, ashtu edhe shqiptarëve.Siç mund të kuptohet lehtë, në shtetin e Janinës banonte popullsi shqiptare që kishte pushtetin, pasurinë, policinë dhe ushtrinë, si edhe Aliun në kulmin e popullaritetit brenda dhe jashtë Shqipërisë. Të tjerët ishin kryesisht grekë. Ata kishin në duart e tyre tregtinë, por mbi të gjitha historinë, civilizimin, kulturën dhe gjuhën e tyre që mësohej në shkollat fillore të përhapura kudo në Shqipëri dhe Greqi, si edhe dy gjimnazet e famshme të Janinës, si për nga mënyra e mësimdhënies, ashtu edhe për nga profesionalizmi e përkushtimi i mësuesve të tyre.Në këto kushte, kur të dy popujt ishin të interesuar për të bashkëjetuar dhe bashkëpunuar me njëri-tjetrin, Ali Pasha, i frymëzuar nga idetë e Revolucionit Francez, shpalli se në shtetin e tij, për të parën herë në gjithë Perandorinë Osmane, do të respektohej barazia midis popujve, me përjashtim të turqve, pra barazia mes shqiptarëve dhe grekëve, myslimanëve dhe të krishterëve.Enciklopedia e Madhe Greke citon historianin grek T. Kondyloros tek shkruan: “Reforma më e rëndësishme në shtetin e Ali pashë Tepelenës ka qenë zbatimi i parimit modern, sipas të cilit të gjithë shtetasit janë njësoj para ligjit. Për Ali Pashën s’kishte as të krishterë, as myslimanë, as çifutë, as shqiptarë, as grekë e as turq. Të gjithë kishin po ato të drejta dhe po ato detyrime para ligjit”. (Megali Eliniqi Enqiklopedia, f. 739; cituar tek Meksi V. Th.: Ali pashë Tepelena, Tiranë, 2014, f. 131).Shqiptarët, ndryshe nga popujt e tjerë të Ballkanit, për të formuar identitetin e tyre kombëtar kishin përjashtuar identitetin fetar, por ruanin me xhelozi identitetin gjuhësor dhe territorial. Pra, “Identiteti kombëtar shqiptar është ndërtuar me logjikë konverguese, në rrugë evolutive dhe duke theksuar pikat e përbashkëta të tyre si kombi, gjuha shqipe, territori, lashtësia e historisë dhe veçanërisht duke pranuar diversitetet brenda tyre që janë besimet fetare”. (Arifi Bakalli, Emine: Naum Veqilharxhi – jeta dhe vepra, Prishtinë, 2011, f. 17-29).Duket se në këtë periudhë ka filluar shqiptarizmi ose nacionalizmi shqiptar, i cili vazhdon të jetë ashtu si e lindi Ali pashë Tepelena: specifik, demokratik, përtej feve dhe evropianist. Studiuesi dhe publikuesi Tajar Zavalani në studimin e tij Nacionalizmi shqiptar thekson se rrënjët e nacionalizmit shqiptar duhen kërkuar    në vetadministrimin e pashallëqeve shqiptare dhe në kundërvënien e tyre me pushtetin osman qendror. Për të, “Mahmud pashë Bushati dhe Ali pashë Tepelena mund të quhen si shembujt më të hershëm të nacionalizmit shqiptar”. (Zavalani, Tajar: Nationalism in Eastern Europe, Albanian nationalism, Seattle & London, 1969, f. 52-62).Në fund të shek. XVIII, kur Ali pashë Tepelena po kthjellonte idetë e tij lidhur me ngritjen e një shteti shqiptar të pavarur nga Porta e Lartë, kishin kaluar mbi 300 vjet nga vdekja e Skënderbeut dhe nga fundi tragjik i shqiptarëve që nuk kishtet të sosur. Pjesa më e madhe e atyre që qëndruan në trojet shqiptare kishin ndryshuar besimin fetar dhe bënin pjesë, bashkë më turqit, në miletin islamik të Perandorisë Osmane, ndërsa ortodoksët bënin pjesë në miletin grek dhe katolikët në miletin latin. Emri shqiptar, ashtu si edhe kombi shqiptar, nuk njiheshin zyrtarisht nga të huajt, kurse “Shqipëria” ishte fshirë nga hartat e tyre. Veçse shqiptarët edhe me fe të ndryshme, edhe pa pasur një shtet të tyre, qëndruan të lidhur me njëri-tjetrin falë bashkëjetesës shqiptare, fenomen specifik i popullit shqiptar. Ata qëndruan të bashkuar pasi jetonin në të njëjtin vend, që e quanin trualli i kombit, kishin të njëjtën histori të lashtë që e quanin testamenti i kombit, flisnin të njëjtën gjuhë që e quanin gjuha e shpirtit të kombit, dhe të njëjtat tradita që ishin për ta bukuria e shpirtit shqiptar.Tepelenasi sapo mbërriti në Janinë mblodhi rreth tij intelektualët më të shquar shqiptarë dhe epirotas, me të cilët do të fillonte betejën pa fund, si kulturore ashtu edhe politike, për t’i njohur Fuqitë e Mëdha me burimet kryesore dhe faktorët përbërës të identitetit kombëtar të shqiptarëve.Prejardhja e përbashkët, gjuha e përbashkët, kultura e përbashkët, sistemi i vlerave shpirtërore dhe historia e përbashkët do të ishin ata faktorë themelorë të identitetit kombëtar shqiptar, me të cilët Ali Pasha do të bindte Evropën se ka një komb shqiptar që i shtron kërkesa asaj, si subjekt historik që është. Por duke filluar betejën politike dhe kulturore për njohjen dhe pranimin e kombit shqiptar në Evropë, Ali pashë Tepelena do të zhvillonte edhe me shqiptarët një betejë tjetër, që do të kishte si qëllim ndërgjegjësimin e mëtejshëm për të përbashkëtat e tyre lidhur me gjuhën, kulturën, historinë dhe figurat historike, për doket dhe zakonet e tyre. Aliu do të veçonte si një faktor të rëndësishëm të identitetit kombëtar shqiptar ruajtjen e tërësisë së trojeve në të cilat shqiptarët jetonin si popullsi e vetme apo shumicë etnike, si edhe krijimin e shtetit kombëtar. Ali Pasha ishte i bindur se për të realizuar synimin e tij madhor, krijimin e shtetit shqiptar të pavarur, duhej mbështetja e njërës prej Fuqive të Mëdha evropiane që nuk kishte pretendime territoriale për trojet shqiptare brenda kufijve të tyre etnike. Ai përjashtoi nga projekti i tij jo vetëm Portën e Lartë, por edhe Rusinë, që nuk iu përgjigj kërkesës së Aliut të vitit 1791 për të mbështetur kryengritjen antiosmane që do të kryhej së bashku me grekët. Ndërsa francezët e Gjeneral Bonapartit nuk pranuan të uleshin seriozisht në tryezën e bisedimeve që iu propozoi Ali Pasha lidhur me të ardhmen e Butrintit, Vonicës, Pargës, Prevezës dhe Shtatë Ishujve përballë tyre, të pushtuara nga francezët në vitin 1797, pasi u këmbyen me venecianët.Madje, gjenerali francez Bessier, guvernatori i Korfuzit, në librin e tij të titulluar Kujtime mbi jetën dhe fuqinë e Ali Pashës, sqaron qëndrimin e Bonapartit kur “pranon indirekt se Franca kishte qëllime pushtimi edhe ndaj vetë Pashallëkut të Janinës”. (Ushtelenca, I.: Shteti dhe Qeverisja e Ali pashë Tepelenës, Tiranë, 2009, f. 6).Në të vërtetë Ali pashë Tepelena fillimisht u përpoq me durim t’i bindte francezët që të largoheshin në mënyrë paqësore nga trojet shqiptare që kishin pushtuar dhe vetëm kur bashkëbisedimet me francezët rezultuan të pafrytshme, në vjeshtën e vitit 1798 trupat e tij sulmuan Butrintin dhe më pas Prevezën, ku u vranë ose u kapën rob më shumë se 300 ushtarë dhe oficerë francezë. Me britanikët, të cilët nuk kishin pretendime për toka në brendësi të gadishullit, marrëveshja u arrit shumë shpejt. Ata pushtuan disa nga Ishujt Jonianë dhe i lanë Aliut tre nga qytetet-porte të detit Jon, kurse të katërtin, Pargën, ia shitën në vitin 1819. Duket se në këmbim të ishujve që i vendosën nën protektoratin e tyre (1809) dhe që i pretendonte Aliu, ata do të shtynin deri në Bosnjë-Hercegovinë kufirin verior të shtetit kombëtar shqiptar, që do të formohej gjithmonë pas shpërbërjes së pritshme të Perandorisë Osmane. Ndërkohë misionarët e shumtë  anglezë  që  vizitonin Ali  Pashën, të ngarkuar edhe me detyra politike, ushtarake dhe të informacionit, pranuan kërkesat këmbëngulëse të Aliut për të dhënë ndihmesën e tyre, sipas mundësive, në lëvrimin e gjuhës shqipe (Lik), përcaktimin e kufijve etnikë të shqiptarëve (Hobhauz) dhe për të promovuar Shqipërinë, shqiptarët dhe gjuhën e tyre në Europë (Bajron). Në librat e tyre, të kërkuar me interesim të veçantë në atë kohë kudo në Europë, u duk pas shumë vitesh edhe harta e Shqipërisë në kufijtë e saj etnikë, me diçiturën e shumëpritur “Albania”. (Hobhouse,J.C.: A journey through Albania, and other provinces of Turkey…”, 1813).Ali Pasha me njerëzit e tij, ndoshta në të njëjtën kohë me arbëreshin Ëngjell Mashi (1758-1821), janë të parët që ngritën panteonin e kombit shqiptar rreth Pirros së Epirit, Aleksandrit të Madh dhe Skënderbeut. Në këtë mënyrë, faktori i territorit, i gjuhës shqipe dhe i lashtësisë së historisë së shqiptarëve, falë përpjekjeve titanike të Ali pashë Tepelenës, u bë i njohur dhe i pranuar të paktën nga Britania e Madhe, fuqi e rëndësishme e politikës ndërkombëtare.Fillesat e Nacionalizmit Shqiptar ose të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare janë të një kohe me grekët, serbët, rumunët dhe bullgarët, qysh në fund të shek. XVIII dhe në fillim të shek. XIX, sepse në të gjithë këta popuj sundonte e njëjta atmosferë çlirimtare kundër pushtuesve osmanë. Popujt e Ballkanit që kanë krijuar kulturën e tyre gjatë shekujve, me vlera jo vetëm ballkanike, por edhe europiane e botërore, përmes rrënjëve  të tyre historike, miqësisë shekullore dhe personaliteteve të tyre të shquara kanë vendosur të tilla ura bashkëpunimi, që mundësuan ritme të përafërta bashkëveprimi luftarak kundër pushtuesve shekullorë. Kështu shpjegohen shpërthimet revolucionare antiosmane të njëkohshme në provincat e Danubit (1821), në Greqi (1821), në Serbi, si edhe lëvizja e pandërprerë kundër sundimit osman në Shqipëri që kulmoi në vitet 1820-1822 me Ali pashë Tepelenën.Natali Klejer (Nathalie Clayer), “Nacionalizmi shqiptar, dhe më gjerësisht shqiptarizmi, nuk është  edhe  aq  specifik  (i  veçantë) sa paraqitet përgjithësisht. Ai hyn në të njëjtin kontekst me atë të nacionalizmave të tjerë ballkanikë të fundit të shek. XVIII dhe fillimit të shek XIX, atë të tërheqjes progresive të Perandorisë Osmane nga Europa, në përfitim të shteteve të rejaballkanike të krishtera dhe të disa Fuqive të Mëdha”. (Clayer, Nathalie: Në fillimet e nacionalizmit shqiptar, Përpjekja, Tiranë, 2009, f. 637). Argumentet që do të renditen më poshtë mendoj se janë plotësisht të mjaftueshme për të kundërshtuar idetë e mësipërme të autores së huaj, të cilat duket qartë se janë larg realitetit shqiptar. Në të vërtetë shqiptarizmi është nacionalizëm i veçantë. Ai është i veçantë edhe pse nuk është nacionalizëm fetar. Ai nuk synonte të ngrinte një shtet me një besim të vetëm fetar, mbasi praktikisht nuk e kishte këtë mundësi si nacionalizmat e tjerë ballkanikë. Dihet se procesi që qëndron në themel të transformimit të sistemit feudal drejt një sistemi të karakterizuar nga prania e shtresave të ndryshme shoqërore të përcaktuara ekonomikisht, u shoqërua gjithashtu edhe me një tranzicion paralel strukturor. Veçse sistemi i komuniteteve fetare (miletet) mund të shihet si pararendësi i shteteve moderne kombëtare që lindën në Ballkan, meqenëse popullsia e tyre përfshihej në një milet të vetëm, mileti ortodoks. Për të krijuar shtetin e tij, kombit shqiptar me tre milete (mysliman, ortodoks dhe katolik) iu desh të kryente një rrugëtim të ndryshëm, të gjatë dhe me shumë kthesa, pra të veçantë. Mençuria e popullit shqiptar krijoi harmoninë fetare ose bashkëjetesën shqiptare, që prej mijëra vjetësh ka luajtur rolin e amortizuesit midis shqiptarëve me fe të ndryshme, kurse Naum Bredhi Veqilharxhi, filozofi i parë i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, duke studiuar harmoninë fetare si fenomen specifik i popullit shqiptar që bazohet në përparësinë e kombit mbi fetë, do të shkruante: “Kombi shqiptar përbën një trup homogjen, ai është esenca, kurse fetë janë veçori të fituara më vonë të esencës, dhe si të tilla ato janë të ndryshueshme”. (Veqilharxhi, Naum: Letra dërguar J. Calit, 1846). Për pasojë, nacionalizmi i një kombi përtej feve sikurse është kombi shqiptar, ndryshe nga popujt e tjerë, veçanërisht ballkanikë, nuk mund të mos quhet specifik. Dhe ai, në të vërtetë, krahasuar me nacionalizmin e popujve fqinjë, ishte dhe vazhdon të jetë nacionalizëm i veçantë.Nacionalizmi  shqiptar  që  fillimet  i  pati  në  Janinën  e  Ali pashë Tepelenës lindi, përveçse nacional-çlirimtar, edhe demokratik. Ndryshe edhe nga lëvizjet e tjera nacional-çlirimtare ballkanike, “Kryengritja Serbe dhe Lufta Greke për Pavarësi i kishin rrënjët e tyre pothuajse të fundosura thellë në kategoritë fetare të riprodhuara nga sistemi i mileteve”. (Flemming, K.: po aty, f. 81). Ato ishin thjesht dhe vetëm shprehje e një proteste etnike e fetare. Pa dyshim, ato ishin lëvizje nacional-çlirimtare, por nuk ishin demokratike, mbasi ato nuk ishin të frymëzuara nga idetë demokratike të Revolucionit Francez. Duke qenë mesianike (nacionalizmi i një populli i vetëquajtur shpëtimtar, që si Mesia kërkon të vendosë një rend të ri), ato nuk mund të pranonin dhe ende nuk pranojnë barazi me njerëzit e popujt e tjerë. Valët e jehonës së Revolucionit Francez erdhën në Ballkanin Perëndimor, për pasojë edhe në Shqipëri, para se Franca të merrte në zotërim Ishujt Jonianë. Pavarësisht nga masat e kontrollit që mori administrata osmane për të frenuar përhapjen e ideve rebeluese revolucionare, këto të fundit do të përhapeshin përmes shumë rrugëve dhe mjeteve. Tregtarët, marinarët, studentët dhe ushtarët e shumtë shqiptarë në radhët e ushtrisë franceze përvetësuan idetë e doktrinave revolucionare dhe i përhapën ato me zell të madh në mes të bashkatdhetarëve të tyre. Për më tepër, parimet e Revolucionit Francez i miklonin veçanërisht shqiptarët, mbasi ato nxitnin idenë e flakjes tej të zgjedhës osmane. Magjia e ideve dhe e filozofisë çudibërëse që vinin nga Parisi, kishte bërë për vete edhe Ali pashë Tepelenën. Ai ishte frymëzuar nga tri fjalët magjike që ngritën në këmbë francezët dhe çuan në fitore Revolucionin Francez: liberte, egalite, fraternite. Kuptimin e këtyre fjalëve e njihte prej kohësh Aliu. Ai njihte plotësisht edhe ndryshimet që kishin tronditur fronet mbretërore dhe Europën në përgjithësi. Për më tepër, edhe për shkak të kushteve gjeografike, lidhjet e shqiptarëve me Perëndimin janë të kahershme. Ato kanë filluar kur Iliria quhej Provinca Ilire, pjesë e Perandorisë Romake, vazhduan në Epokën e Skënderbeut me Vatikanin, Mbretërinë e Napolit dhe Republikën Veneciane dhe më tej me Perandorinë Austro-Hungareze etj. Në bregdetin Jon dhe Adriatik  ndodheshin  disa  qytete  shqiptare të pushtuara nga venecianët, nga ku hynte pa dyshim edhe freskia e delikatesa europiane, që përplasej me erërat e forta dhe të ftohta të maleve shqiptare, të cilat, me kohë edhe mund të jenë zbehur e zbutur disi. Por falë Ali Pashës, Naum Veqilharxhit dhe rilindësve të tjerë të fundit të shek. XIX, Rilindja Kombëtare Shqiptare u çiftëzua me idetë liberale dhe demokratike të Revolucionit Francez dhe jo me ato që pllakosën kontinentin pas Kongresit të Vjenës të vitit 1815, që ishin ende konservatore. Për të kuptuar më mirë këtë faktor vendimtar, fillimisht po citoj pikat 2 dhe 3 të projektmarrëveshjes me Rusinë, që Ali pashë Tepelena hartoi në të largëtin vit 1791, vetëm 2 vjet pas shpërthimit të Revolucionit të Madh Francez: “Ali Pasha zotohet t’i trajtojë njëlloj si myslimanët dhe të krishterët dhe t’i pranojë ata si në administratë ashtu edhe në ushtri, duke pasur si parim të vetëm aftësinë e tyre”.“Taksat do të unifikohen për të gjithë banorët, myslimanë apo të krishterë qofshin”.Për hartimin e këtyre koncepteve revolucionare për kohën, ndryshe nga të gjitha vendet ballkanike që ishin krahina të Perandorisë Osmane, por edhe më gjerë, Ali Pasha mbështetej edhe mbi përvojën e harmonisë fetare ose bashkëjetesës shqiptare, një zgjedhje që shqiptarët e kishin bërë shumë shekuj më parë.Asnjë nga fetë nuk mundi të errësonte ndërgjegjen kombëtare  të shqiptarëve. Krenarë për  prejardhjen  e  tyre,  shqiptarët  ruajtën  me njëri-tjetrin, për shekuj me radhë, aq sa kishin mundësi, lidhjet shpirtërore, ekonomike, shoqërore, madje edhe ato familjare. Vetëm kështu shpjegohet fakti që Shqipëria nuk njohu asnjëherë grindje dhe luftëra fetare edhe pse ato nxiteshin me zell nga fqinjët shovinistë. Të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga besimi që praktikonin, me krenari dhe respekt kujtonin luftërat legjendare ndaj pushtuesit osman të heroit kombëtar, Skënderbeut. Në këtë mënyrë, figura e Skënderbeut, së bashku me gjuhën shqipe dhe doket e zakonet e lashta të tyre, ngelën si elemente të përbashkëta, pika e bashkimit për të gjithë shqiptarët. Në epokën e Ali Pashës, feja e përbashkët me pushtuesin nuk vazhdonte të ishte një privilegj i fuqishëm dhe nuk ndikonte mbi situatën e re politike që u krijua në Shqipëri në fund të shek. XVIII dhe në fillim të shek. XIX. E rëndësishme në atë periudhë ishte formimi i një pushteti të përqendruar, që të plotësonte interesat e fisnikëve të rinj të tokës me origjinë shqiptare, që kishin kaluar në opozitë me klasën feudale otomane dhe kërkonin vendosjen e rregullit dhe të qetësisë. Pashko Vasa, një përfaqësues i rëndësishëm i Rilindjes Kombëtare, për një kohë edhe guvernator i Libanit në shërbim të Perandorisë, tek flet për Kara Mahmudin e Shkodrës dhe Ali Pashën, shënon: “Njëri sundonte mbi Shqipërinë e Sipërme dhe tjetri mbi të Poshtmen, me pak ndryshim, si feudalët e mëdhej të mesjetës. Që të dy ditën të bashkonin elementin mysliman dhe elementin e krishterë në të njëjtën ide patriotike dhe në të njëjtin vrull për lavdi ushtarake. Pashko Vasa: Vepra Letrare, Argeta LMG, Tiranë, 2010, f. 95). Edhe te shqiptarët e sotëm vizioni fetar nuk është tipar përcaktues   i identitetit kombëtar. Pas viteve ‘90 të shekullit të kaluar, edhe pse lindën në disa qytete, si në Korçë, Elbasan, Durrës e Shkodër, grupe identitare bazuar në përkatësinë fetare, ato e patën jetën fare të shkurtër. Shoqatat e të rinjve, e intelektualëve myslimanë ose të krishterë që lindën pas vendosjes së rendit demokratik, njëra pas tjetrës dështuan për të vërtetuar edhe një herë se në Shqipëri nuk është as real e as i suksesshëm çiftëzimi i identitetit kombëtar me identitetin fetar.Pas shkatërrimit të shtetit të Skënderbeut dhe pas mynxyrës osmane që pllakosi mbi Shqipëri, shqiptarët arritën të kapërcenin muret e Perandorisë Osmane, izolimin brenda saj dhe të rivendosnin raportet   e zakonshme me Europën Perëndimore, që mundësoheshin para së gjithash nga afria gjeografikeLiku, si edhe shumë vizitorë të tjerë europianë në Pashallëkun e Aliut, ka vënë re se në fund të shekullit XVIII, “Pothuajse të gjithë burrat shqiptarë toskë flisnin shqip, greqisht dhe të paktën një gjuhë europiane (frëngjisht, anglisht apo italisht)”. Po ashtu, Liku raporton se “…gati të gjithë shqiptarët e oborrit të Aliut kishin shërbyer edhe jashtë Shqipërisë”. (Leake, M. W., Udhëtim në Greqinë e Veriut, 1835, f. 86).Tradita tepër e lashtë e mercenarizmit, e preferuar nga ilirët, vazhdonte të tërhiqte edhe shqiptarët e shekujve XVII-XIX. Përveç djemve dhe burrave që luftonin për turqit, ishin të shumtë stratiotët e famshëm shqiptarë, që kërkoheshin nga mbretëritë europiane, princërit rumunë dhe Mehmet Ali Pasha i Egjiptit me origjinë nga Korça. Ata që ktheheshin në atdhe, përveç pasurisë dhe përvojës së fituar në vendet ku shërbenin, sillnin me vete edhe të paktën një gjuhë të huaj.Edhe veprimtaria ekonomike përbënte prej kohësh një lidhje të rëndësishme me Perëndimin. Kur Ali pashë Tepelena sundonte në Janinë dhe përreth, qyteti i Janinës u bë një qytet kozmopolit, që nëpërmjet tregtisë, artizanatit, arsimit dhe veprimtarive ushtarake vazhdoi të mbante lidhje edhe më të ngushta e të drejtpërdrejta me ideologjitë e reja qysh në lindje të tyre, si edhe me modën, shijet dhe zakonet europiane.“Intensifikimi i kontakteve diplomatike me shtetet europiane, veçanërisht në periudhën 1797-1811, e larguan Aliun nga konteksti politik i Perandorisë Osmane. Ali Pasha po modelonte veten me ndërgjegje sipas mënyrës perëndimore të artit të qeverisjes dhe të politikëbërjes. Kjo periudhë shënon kthesën thelbësore që po çonte Aliun drejt shkëputjes nga Perandoria Osmane dhe mekanizmat e saj të pushtetit. Ai ishte kthyer me vendosmëri drejt modelit perëndimor që bazohej në parimet e statizmit dhe nacionalizmit. Duke negociuar me fuqitë europiane Aliu jo vetëm shkelte politikën osmane, por me ndërgjegje po kërkonte një strukturë të re pushteti”. (Flemming, K.: Bonaparti mysliman, Tiranë, 2003, f. 161).Nga pozicioni më i lartë i hierarkisë provinciale osmane, Aliu kontrollonte në mënyrë të drejtpërdrejtë të gjithë territorin e Rumelisë (Turqia Evropiane) dhe ishte në gjendje gjithashtu të krahasonte sistemin perandorak osman me atë të shteteve perëndimore. Me kalimin e kohës ai po zgjidhte përherë e më shpesh metodat europiane. Aliu në të vërtetë u largua me vendosmëri nga sistemi perandorak osman dhe u afrua tek Europa si për sa i përket diplomacisë ashtu edhe simolikës personale.Aliu e kuptonte se për të qenë pjesë e botës perëndimore duhet të kishte edhe simbolikë të përbashkët me të. Për këtë qëllim, sapo filloi karrierën ai mobilizoi njerëzit e tij që të hartonin një kushtetutë bazuar në kushtetutat më të mira të Europës, duke përfshirë edhe kushtetutën e Francës revolucionare.Bashkë me tri fjalët magjike – liri, barazi dhe vëllazëri – Ali pasha është njohur të paktën qysh nga viti 1791 edhe me të katërtën – kushtetutë e shkruar. Këtë e dëshmon historiani grek i besueshëm Janis Kordhatu. Ai kishte dijeni të plotë për mendimet reformatore të Ali Pashës, i cili parashikonte që shteti i tij, realisht i pavarur nga sulltani, të kishte një kushtetutë të shkruar, ashtu siç e kërkonin edhe qytetarët parizianë. “Për këtë qëllim, vazhdon J. Kordhatu, Ali Pasha dërgoi në Korfuz këshilltarin e tij politik Kollovo”. (Kordhatu, J.: Historia grekomoderne, 1825, f. 128, në Kola, A.: po aty, f. 386).Kjo është tentativa e parë e Ali Pashës. Tentativa e dytë duhet të jetë për “…përgatitjen e një kushtetute – të tipit francez – për popullsitë e tij”. (Fleming, K.: po aty, f. 37).  Kurse, tentativa e tretë dhe e fundit, siç dëshmojnë Spiros Aravantinos (1895) dhe Faik Konica (1902), Aliun e shpuri te princi Meternik. Në atë kohë princi Meternik, hartuesi dhe garantuesi i Aleancës së Shejtë, ylli në lindje i diplomacisë europiane, duke dhënë konsensusin e tij për hartimin e kushtetutës për Shqipërinë, sipas Aliut, do të mbante të njëjtin qëndrim edhe në fazën tjetër, kur do të vendosej përfundimisht lindja e shtetit shqiptar të pavarur.Ali pashë Tepelenën mund ta ketë drejtuar te kancelari i Perandorisë Austro-Hungareze komuniteti shqiptar i Vjenës, studentët dhe sidomos tregtarët e shumtë shqiptarë që kishin hapur edhe zyrat e tyre në kryeqytetin e Perandorisë, të cilët ndoshta e gjenin të ngjashëm shtetin shqiptar të Ali Pashës, që do të luante edhe rolin e tutorit për një shtet grek autonom në Peloponez që ndodhej në Greqinë e Jugut, me Perandorinë Austro-Hungareze që kishte strukturë dualiste. Dhe eksperti Meternik nuk do ta kishte të vështirë të shfrytëzonte përvojën nga administrimi  i perandorisë së tij multietnike, që përbëhej nga austriakë, hungarezë, italianë, sllovenë, kroatë etj., për formimin dhe administrimin e Monarkisë Konstitucionale Shqiptare që do të përbëhej, jo vetëm nga shqiptarë dhe grekë, por edhe nga vllehë, bullgarë, hebrenj etj.Aliu, ndërsa fitoi admirimin dhe miratimin e Europës nëpërmjet strategjive të suksesshme ushtarake dhe diplomatike, përdori me insistim edhe simbolikën për t’u larguar në mënyrë progresive nga gjithçka osmane që ishte rreth tij, duke përfshirë edhe gjuhën osmane.Aliu tregonte një interesim të veçantë për botën politike dhe sociale të Europës Perëndimore. Ai gjithashtu bënte përpjekje të mëdha për   të përvetësuar fjalorin politik si edhe emblemat e tjera të qytetërimit europian. Për më tepër, “Veshja, sjellja e tij dhe dekori i shtëpive, mobilimi dhe zbukurimi elegant i tyre ishin menaxhuar me shumë kujdes, me qëllim që ta paraqisnin në terma fort të posaçëm përpara publikut evropian”. (Flemming, K., po aty, f. 211).Pashai nga Tepelena, përpara se të fillonin funksionet e tyre në Janinë, i priste konsujt e shteteve të huaja sipas normave diplomatike të kohës. Në sarajet e reja të Lidharicës ai kishte ndërtuar një sallë të posaçme luksoze enkas për ta. Atje, me sjelljet e një sovrani të vërtetë priste përfaqësues dhe emisarë diplomatikë jo vetëm nga Fuqitë e Mëdha, por edhe nga gjithë vendet e Turqisë europiane. A. Boppe, në librin e tij Shqipëria dhe Napoleoni, tërësisht i habitur, e përshkruan në këtë mënyrë sallën në Lidharicë ku e priti Ali Pasha: “Mbetesh i mahnitur nga përmasat e këtij salloni të shkëlqyer, dritaret e të cilit tërheqin shikimin mbi panoramën madhështore të liqenit dhe maleve fqinjë. Kollona të zbukuruara ndanin ambientin shpërthyes nga ngjyrat dhe dekoracionet. Mbi mure e tavan gjithshçka ishte kuqëreme, blu ose e verdhë. Ngjyra e verdhë ndriçonte kudo nga ari i shpërndarë me shumicë. Në vitrina të punuara me delikatesë ishin vendosur armët e Pashait, thika, shpata e pistoleta që vezullonin nga gurët e çmuar. Mbi dysheme një numër i madh qilimash Persie. Gjatë mureve një divan me jastëqe satini ngjyrë bakri spikaste nga garniturat e qëndisura me ar”. (Bopp, A.: L’Albanie et Napoleon, Paris, 1914, f. 162-163).Konsujt e huaj, para fillimit të funksioneve të tyre në Janinë, kryenin para Ali Pashës të gjitha procedurat e duhura. Kurse Pashai, në prani të elitës së tij, bënte ceremoninë e zakonshme që i lejonte ata të fillonin detyrën e tyre. Në këtë kuadër shpjegohet edhe interesi i tij për përfshirjen e shkencave ekzakte në programet mësimore, si fillim në shkollat në gjuhën greke, lejimi i pikturimit të tij, informimi i rregullt me anë të shtypit europian, si dhe dëshira për përdorimin e simboleve të veçanta, që ishin karakteristikë për princat dhe monarkët europianë. Ali pasha ishte ndër pashallarët e parë që filloi ta organizojë ushtrinë sipas modelit europian. Ai që në letrën e parë që i dërgoi Bonapartit më 1 qershor 1798 i kërkoi t’i dërgonte katër oficerë artilerie që do t’i shërbenin si instruktorë për modernizimin e ushtrisë së tij. Me ndihmën e tyre hapi shkollën e parë në Bonilla afër Janinës, ku filloi të përgatiste ushtarakët e parë. Oficerë të shumtë shqiptarë që shërbenin kudo në Europë u bashkuan me ushtrinë e Aliut, i cili i joshte ata me grada e rroga të larta.Në mes sjelljeve europiane të Aliut spikat edhe një element tjetër i rëndësishëm: heraldika, si një nga elementet më kuptimplota dhe përfaqësuese të një shteti europian në  mesjetën  e  vonë.  Tashmë  Aliu kishte stemën zyrtare të porositur në  Vjenë,  vulën  personale dhe gonfalonin e tij, që ndryshonin kryekëput nga ato që mbante në  fillimet e karrierës së tij. Është e kuptueshme se nëpërmjet imitimeve të simboleve të Perëndimit ai dëshironte të afirmonte veten e vet dhe shtetin që po ngrinte.“Simbolet europiane të përdorura nga Ali Pasha dëshmojnë ekzistencën dhe ngjizjen e një mentaliteti tjetër shtetformues krahasuar me atë të pashallarëve të tjerë otomanë. Ky lloj mentaliteti, që evoluoi së bashku me rritjen e Pashallëkut, kontaktin me botën perëndimore dhe adaptimin e disa elementëve shtetformues modernë, është lakmuesi kryesor që e dallon atë nga të tjerët dhe e bën karizmatik dhe tërheqës për të gjitha kohët”. (Koçi, D.: Gjenealogjia e Ali Pashës, Streha, Tiranë, 2014, f. 188).Janë disa burime, bashkë me to edhe vetë Aliu, që flasin lidhur me premtimin e Napoleonit për ta bërë “Mbret të Shqipërisë” si shpërblim që u lidh fshehurazi me të, kundër dëshirës së Portës së Lartë. Por sipas Hollandit, Aliu kërkonte pavarësi të plotë dhe nuk pranoi të bëhet vasal i Francës. (Holland, H.: Mjek te Ali Pasha, Migjeni, Tiranë, 2008, f. 78).Duket se Aliu synonte kryesisht dhe vetëm që të fitonte atë që Franca përfaqësonte: pavarësi, demokraci, modernizëm, pushtet dhe supremaci. Përveç interesit të dukshëm nacionalist, Aliu ishte i ndjeshëm dhe   i vëmendshëm edhe ndaj ideologjive mbi të cilat bazoheshin rrymat e reja politike që po merrnin formë në Europë. Por në të vërtetë Aliu nuk i mësoi nga Perëndimi absolutizmin dhe centralizimin politik. Mënyra e tij e qeverisjes absolutiste dhe centraliste, që ndoqi sidomos gjatë periudhës së parë të sundimit të tij, përpara se të hynte në kontakt me Europën dhe kur po konsolidonte kontrollin mbi provinca të ndryshme të përfshira në zotërimet e tij, ishte shprehje e natyrshme e traditës politike shqiptare.Veçse Ali Pasha ishte në gjendje të dallonte ndryshimin midis ideve të reja të revolucionarëve francezë që ishin flijuar mbi barrikadat e rrugicave të Parisit për përmbysjen e monarkisë dhe politikës pushtuese të Napoleonit I, Perandorit të Perandorisë Franceze.Pas krijimit të shtetit grek dhe shtetit serb, qeveritë e tyre kishin shfaqur prirje të frymëzuara nga ide shoviniste, që u shndërruan në ligjësi të politikës së tyre. Megali Idea dhe Naçertanie, që jo rastësisht u shpallën në të njëjtën kohë, në vitin 1844, ishin platforma ekspansioniste në kurriz të fqinjëve të tyre. Sipas këtyre projekteve, tokat shqiptare të të Sëmurit të Bosforit ishin të destinuara të ndaheshin midis Greqisë dhe Serbisë. Megali Idea greke gjeti mbështetje të fuqishme edhe te Patrikana e Stambollit, që pas krijimit të shtetit grek e humbi karakterin ekumenik që kishte më parë dhe u kthye në një kishë greke. Në këtë mënyrë, kisha ortodokse dhe shkollat e shumta në gjuhën greke që u ngritën në trevat shqiptare, u kthyen në instrumente për të helenizuar besimtarët dhe nxënësit që mësonin në to. Për të kuptuar shndërrimin e Patrikanës nga një Patrikanë Ekumenike për të gjithë të krishterët nën tokë dhe mbi tokë, në një kishë të vogël greke, mjafton të përmendim miratimin e menjëhershëm nga Patrikana në vitin 1816 për shqipërimin e Dhiatës së Re nga dr. V. Meksi dhe më pas ideimin dhe vendimin për helmimin e Naum Bredhi-Veqilharxhit, autori i abetareve të para shqipe, në vitin 1846, pasi ishte krijuar shteti grek dhe ishte shpallur Megali Idea. Nga ana tjetër, sundimtarët osmanë shtuan përpjekjet për t’i fanatizuar fetarisht dhe për t’i turqizuar kombëtarisht shqiptarët myslimanë. Shkollat shtetërore osmane që po ngriheshin me qindra në mes të shek. XIX, edhe pse quheshin formalisht shkolla laike, pjesën më të madhe të programit e kishin me lëndë të fesë islame. Në një situatë të tillë, Shqipëria dhe shqiptarët po mësyheshin si asnjëherë tjetër në historinë e tyre njëherësh nga grekët, turqit dhe serbët, nga Patrikana dhe kisha greke, si edhe nga veglat panheleniste dhe panislamiste në Shqipëri.  Edhe pse këto fakte tashmë janë të njohura nga të gjithë, historiania Natali Klejer në librin e saj me titull Në fillimet e nacionalizmit shqiptar ka shkruar: “Kësisoj, nacionalizmi shqiptar nuk është afirmuar përkundrejt dhe kundër të gjithëve”. Me këtë rast dua të kujtoj se kudo në botë ata që duan të vrasin armiqtë e tyre qëllojnë mbi ushtarët dhe oficerët kundërshtarë. Vrasja e civilëve konsiderohet krim. Po vrasja e mësuesve? Ka raste të shumta që dëshmojnë se fqinjët tanë jo rrallëherë i kanë vendosur mësuesit shqiptarë, hartuesit e gramatikave dhe abetareve të gjuhës shqipe në shënjestër të goditjes së tyre. Duke vrarë mësuesit, ata kanë menduar se do të shuanin dritën e dijes e të patriotizmit për nxënësit arsimdashës shqiptarë, që nesër do të bëheshin atdhetarë të vendosur në mbrojtje të tokave e popullit të vet, pra nuk do të lejonin realizimin e platformave ekspansioniste të qarqeve shoviniste serbe e greke.Nacionalizmi shqiptar ishte specifik edhe pse ai u zhvillua në mënyrë policentriste: në Shqipëri, në Greqi, Itali, Rumani dhe Austri.“Në shekullin e shtatë me hyrjen e sllavëve në Iliri, shumë fise ilire zbritën në Atikë, në Greqinë Jugore dhe në Peloponez, duke sjellë me vete gjithçka që arritën të ruajnë nga paraardhësit e tyre: krenarinë, gjuhën tradicionale dhe besimin e cekët fetar”. (Pollo-Puto: Historia e Shqipërisë, Tiranë, 1975, f. 38). Deri në shekullin XIV ndodhi një fluks i vazhdueshëm, por më i dobët, i arbërve në Greqi. Veçse historia përmend shumë udhëheqës arbër (Vranajt, Zgurot, Boçarët, Dhoksat etj.) dhe toponimet që lanë (Shkurta, Kunduri etj.), për të treguar praninë arbërore në Greqi përpara zbritjeve të dendura që ndodhën gjatë shek. XIV. Arbërit e mëvonshëm që u vendosën në Thesali dhe në Greqinë Jugore rreth vitin 1325 u ftuan nga hegjemonët e Greqisë, të Frankëve dhe të venedikasve. Ata zbuan pas pak vitesh nga fushat e Thesalisë të gjithë vllehët që ndodheshin aty dhe shërbyen kryesisht si luftëtarë. Shumë shpejt ata u bënë zotër të Thesalisë dhe Akarnanisë. Duke marrë në zotërimin e tyre shumë qytete dhe fshatra, arbërit formuan një popullsi kompakte dhe homogjene në fushat e Thesalisë. (Kola, A., po aty, f.138). Arbërit që u vendosën në vitet 1345 dhe 1405 në More ishin të ftuar nga despotët e Mistrës dhe shërbyen kryesisht si luftëtarë. Edhe arbërit që u vendosën në Beoti (1382),  Atikë (1382) dhe Eube (1402) ishin  të ftuar. Ata nuk erdhën që të plotësonin krahun bujqësor, që në të vërtetë mungonte, por vetëm si luftëtarë dhe njiheshin nga të gjithë për forcën, mjeshtërinë në përdorimin e armëve dhe për besën e mbajtur. Për shërbimet që kryenin ata shpërbleheshin me tokë, taksa më të ulëta etj. Nga ana e tyre, arbërit ishin të detyruar të mbanin një kalë lufte me shpenzime vetjake. “Arbërit që shkuan në Greqi gjatë shek. XIV, përshkruhen si të ashpër, por të thjeshtë dhe modestë, me parime e zakone spartane. Ata nuk u mjaftuan me rolin e rojes apo të ushtarit. Kur vëllezërit e perandorit bizantin Kostandin Paleologu, të trembur nga mësymjet e Sulltan Mehmetit po ia mbathnin për në Itali, ishin grekët dhe arbërit me prijësit e tyre në krye që luftuan kundër hordhive osmane në beteja të përgjakshme dhe heroike, më të lavdishme se edhe vetë ato të vitit 1821”. (Kola, A.: po aty, f. 141). Më tej Aristidh Kola citon historianin grek Ceva tek shkruan: “Deri në vitin 1880 në Atikë dhe Athinë, Megara, Piri dhe Tebë, flitet gjuha shqipe dhe shumë pak prej tyre flasin greqisht”. Dhe shton: “Nuk ka rëndësi numri i arbërve që erdhën në Greqi në shek. XIV, sepse gjatë viteve të më pastajme i shohim të përbëjnë faktorin kryesor popullor që do t’u rezistojë turqve dhe në vazhdim do të përgatisë kryengritjen e ’21-shit, 90% e heronjve të së cilës janë arbër. Nëse marrim parasysh se këta ishin vetëm arbërit e krishterë dhe që arbërit myslimanë ishin më të shumtë në numër, atëherë do të kemi një imazh të plotë të pranisë arbërore në Greqi. “Në këtë mënyrë arbërit e Greqisë, duke qenë të ardhur në një vend të huaj,  pa pasur filozofi të përpunuar nacionaliste, pa gjuhë amtare  të shkruar dhe që të mësohet në shkolla, me armë të vetme burrërinë dhe shpirtin luftarak, ia arritën të mbijetojnë përtej shekujve, duke provuar se një popull që mbështetet në parimet e qytetërimit njerëzor si në paqe ashtu edhe në luftë, mund të vazhdojë ekzistencën e tij edhe midis popujve të arsimuar. Fara shqiptare nuk është një farë e brishtë që goditet lehtë a që rrezikon të zhduket. Është e fuqishme, e ashpër, luftarake, që nuk u nënshtrohet të tjerëve. Ajo mbizotëron aty ku popujt e tjerë dështojnë. Arbërit e Greqisë faktikisht janë themeluesit dhe shtyllëvënësit e kombit grek në një pikë të tillë saqë Greqia të quhej Shqipëria e Re”. (Kola A., po aty, f. 143-148). Në vitin 1454, pas rënies së Kostandinopojës, ishin vetëm arbërit e Greqisë që reaguan. Më 1460 ata u ringritën disa herë kundër turqve që tashmë kishin pushtuar edhe Peloponezin. “Arbërit e Greqisë u muarën që herët me lëvrimin e gjuhës shqipe. Nuk dihet kur nis të shkruhet, por dimë se Ungjilli shqip i botuar më 1827 qe pritur mirë dhe qe përhapur, fjala vjen, në Eube. Marko Boçari, një nga udhëheqësit e Revolucionit grek të vitit 1821, është i pari që u muar me gjuhën shqipe”. (Kastrati, J.: Historia e Albanologjisë, LMG, 2000, f. 423). Rrezatimi dhe  influenca  e  oborrit  të Ali  pashë Tepelenës  për  sa i përket lëvrimit të shqipes do të ndihej dhe në Ishujt Jonianë, ku u shkruan disa fjalorë dhe punime të thjeshta filologjike, prej të cilave mund të përmendim ato të Kundriotit, A. Vretos, G. Rucadhit. (Tushi, D.: Grigor Gjirokastriti dhe gramatologjia shqip, Buletini Shkencor i Universitetit Fan Noli, Korçë, 2012). Duke filluar nga viti 1534 arbërit e Peloponezit u vendosën në Sicili, Kalabri dhe Napoli. Pas vdekjes së Skënderbeut dhe pushtimit otoman edhe arbërit e Shqipërisë kaluan Adriatikun dhe u vendosën në Italinë Qendrore.Nga shek. XVIII njerëzit e ditur të kolonive arbëreshe të Italisë, që nuk ishin të paktë, pasi ngritën Kolegjin e Shën Beneto-s të Ulanos (1732), Seminarin shqiptar të Palermos në Sicili (1734) si edhe më vonë Kolegjin e Shën Demetrio Koronës në Kalabri, një nga institucionet arsimore më të mira në Italinë e Jugut, ku u formua një pjesë e elitës italo-shqiptare, filluan të ndërtonin identitetin shqiptar. Këtë e arritën përmes botimeve italisht të librave mbi origjinën, historinë dhe gjuhën e kombit shqiptar, si dhe përmes formimit të një korpusi poetik e letrar të krijimeve të mirëfillta, por edhe prej mbledhjes së këngëve popullore. Në këtë mënyrë arbëreshët e Italisë, një popullsi kryesisht fshatare që jetonte në kushte të vështira, formuan elitën e tyre që u frymëzua edhe më tej nga lëvizja romantike, që vlerësonte kombet përmes gjuhës, këngëve popullore dhe dokeve e zakoneve të tyre. Janë për t’u përmendur kontributet me vlerë të Gj. Guxetës (para vitit 1756), punimet historike-gjuhësore të Pal M. Parrinos (1710-1765), si edhe veprat etnografike, leksikologjike dhe gramatikore të N. Kretës (1741-1803). (Kastrati, J.: Historia e Albanologjisë, Argeta, Tiranë, 2000, f. 313). Autori i parë që studioi origjinën e shqiptarëve ishte juristi dhe dijetari i shquar arbëresh Engjëll Mashi (1758-1821). Ai u dallua si gjurmues e studiues i palodhur i historisë kombëtare, i gjuhës, i etnografisë dhe i të drejtave të shqiptarëve. Në vitin 1792 ai botoi veprën Provë politike- legale e të drejtave dhe e privilegjeve të baronëve në Mbretërinë e Napolit, kurse në vitin 1807 botoi librin Ligjëratë mbi prejardhjen, zakonet dhe gjendjen e tashme të shqiptarëve në Mbretërinë e Napolit. Jup Kastrati mendon se “Kjo vepër ka një rëndësi të veçantë, sepse është e para ndihmesë me autoritet shkencor në shek. XIX në mbrojtje të identitetit kombëtar të popullit shqiptar”. (Kastrati, J.: Historia e Albanologjisë, Argeta, Tiranë, 2000, f. 546). Engjëll Mashi ndoshta është i pari që ngriti panteonin e kombit shqiptar rreth Pirros, Aleksandrit të Madh dhe Skënderbeut. Mikel Skutari (1762-1830), historian, etnograf, gjuhëtar dhe folklorist me ndjenja kombëtare, është i pari dijetar shqiptar pas Engjëll Mashit, që sheh në gjuhën shqipe një pasardhëse të drejtpërdrejtë të ilirishtes. Pas tyre janë tri figura kryesore arbëreshe që do të përfaqësojnë denjësisht shqiptarizmin: Zef Krispi (1781-1859), Jeronim De Rada (1814-1903) dhe Vinçens Dorsa (1823-1885). Intelektualët arbëreshë, duke artikuluar tezën e prejardhjes pellazgjike të shqiptarëve, tezën e autoktonisë së tyre, vunë një gur themeli për hartimin e doktrinës teorike të nacionalizmit shqiptar. Kjo tezë u përdor fuqishëm nga Vaso Pasha dhe Sami Frashëri në formulimin e linjës politike të autoktonisë së popullit shqiptar në trojet e tij etnikePas vdekjes së Skënderbeut një numër i madh shqiptarësh, për të shpëtuar nga persekutimet osmane dhe për të ruajtur fenë e tyre, u shpërngulën në Rumani, në fushat që ndodheshin në veri të Danubit. Në bazë të dokumenteve që ruhen edhe sot, sundimtari Mihail Vitearul, në vitet 1595 dhe 1602 pranoi disa dhjetëra mijëra shqiptarë të vendosen në Vllahi. Vite më pas, këta shqiptarë, tashmë të sistemuar më së miri në fushat pjellore të Rumanisë dhe të rrethuar nga rumunët mirëdashës, zbuluan se rumanishtja ishte e mbushur me fjalë të njohura prej tyre. Gjuhëtarët rumunë kanë pranuar njëzëri se origjina e gjuhës së tyre është ilirishtja e kolonëve ilirë, të cilët u vendosën në ato troje në shekullin e dytë pas erës së re. Ndërsa arkeologët i mbështetën ata kur zbuluan në malet Perëndimore mbishkrime tepër të hershme me emërtime vendbanimesh ilire. Naum Bredhi-Veqilharxhi (1797-1846), filozofi dhe ideologu i parë i nacionalizmit shqiptar, bënte pjesë në atë grup shqiptarësh të kohës që përpiqeshin për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare me anë të lëvrimit të gjuhës shqipe, të themelimit të arsimit kombëtar dhe të krijimit të asaj literature që i mungonte popullit tonë. Ndër njerëzit e tjerë të shquar me origjinë shqiptare përmendet princi Vasile Lupu (1634-1653), i njohur edhe si Vasile shqiptari, si edhe shumë sundimtarë nga familja Gjika. Nga kjo familje rrjedh edhe Elena Gjika (Dora d’Istria, 1829-1888), që si shkrimtare dhe publiciste përkrahu nxehtësisht Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe më pas Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.“Që në agimin e shekullit XIX shoqëria shqiptare krijoi premisat që çuan te konolidimi i shqiptarëve si komb, në ngritjen e mëtejshme të ndërgjegjes kombëtare dhe në zhvillimin e lëvizjes kombëtare”.( HPSh, II, Toena, Tiranë, 2002, f. 31).Shqiptarët që jetonin në zotërimet e Ali pashë Tepelenës ruajtën dhe zhvilluan më tej virtytet kombëtare. Mbi të gjitha u ruajt e paprekur krenaria kombëtare. Të huajt që vizitonin asokohe pashallëkun e Janinës s’e ndanin patriotizmin e shqiptarëve nga krenaria e tyre kombëtare si një ndjenjë e fuqishme etnike, si tipari më i theksuar i karakterit të tyre. Francezi Manzur për këtë tipar shkruante: “Në të gjitha dialektet shqiptare gjuha e tyre quhet shqip, vendi i tyre Shqipëri dhe nacionaliteti shqiptar. Kjo krenari shfaqej edhe në respektin e tyre për luftërat legjendare ndaj pushtuesit osman, figurën e heroit kombëtar – Skënderbeu dhe prijësin e tyre Ali pashë Tepelena, që synonte ta shkëpuste Shqipërinë Jugore nga varësia politike e Sulltanit”. (Ibrahim Manzur: Memoires sur la Grece et l’Albanie pendante le gouvernement de Ali Pascha, Paris, 1827).Faik Konica, “kampion i shqiptarizmës”, në artikullin e tij “Ali Pasha i Tepelenit” shkruante: “Shqiptarët u ngjallën, u bashkuan, u ndjenë një komb nën sundimin e tij…”. (Konica, F.: Ali Pasha i Tepelenit, Albania, 1902, në: Vepra, Dudaj, Tiranë, 2003).Megjithëse në Shqipërinë e Jugut ekzistonin dy popullsi me fe të ndryshme, kjo nuk krijoi bazë për krijimin e dy kulturave materiale dhe shpirtërore të veçanta.“Për shqiptarët, si të besimit mysliman edhe kristian, ishte i përgjithshëm shpirti i pavarësisë dhe i dashurisë për vendin e tyre. Asnjë nga vendet e huaja s’mund të zbehin tek shqiptarët dashurinë për malet e tyre. Emocionante ishin rastet kur një shqiptar takohej me ndonjë shqiptar tjetër, të njohur apo të panjohur, jashtë atdheut. Ai i jepte atij dorën e djathtë, e puthte në faqe, gjë që përsëritej edhe pas ndarjes dhe, pasi bënin së bashku një copë udhë të shkurtër, njëri kthehej e shtinte me pistoletë ose me pushkë në ajër”, shkruante Hobhauzi në kujtimet e tij. (Hobhauz, C. Xh.: po aty, f. 147-149).Dëshmi të besueshme për trimërinë, mikpritjen dhe zakone të tjera fisnike të shqiptarëve janë veprat e Bajronit, që ka hedhur në letër çka ai pa me sy në zotërimet e Ali Pashës. Në letrën që i dërgonte nënës së tij (12 nëntor 1809), Bajroni shkruante: “Shqiptarët më kanë ftuar gjithnjë ta ndanin ushqimin e tyre bashkë me mua”. Për të hedhur poshtë thëniet se gjoja shqiptarët ishin brigandë, më vonë shpesh është cituar Ami Bue (Ami Boue, 1794-1881) tek shkruan: “Ashtu si evropianët, edhe otomanët i cilësojnë shqiptarët me emrin brigandë, ndonëse në thelb ata s’janë veçse patriotë që dëshirojnë të çlirojnë atdheun e tyre nga shtypësit ose, së paku, t’i dëmtojnë sa të jetë e mundur ata”. (Boue, A.: Turquie d’Europe, Vienna, 1854).Në territoret e Pashallëkut të Janinës, përveç gjuhës dhe kombit, ishte edhe prejardhja historiko-gjeografike që luante një rol thelbësor për përcaktimin e identitetit, që çdo shqiptar i atribuonte vetes dhe të tjerët ua atribuonin atyre. Prejardhja territoriale që përcaktohej nga gjeografia luante në atë kohë, por luan gjithashtu edhe sot, rolin e bashkuesit për formimin e grupimeve të ndryshme protonacionaliste. Si edhe sot, rëndom shqiptarët në kohën e Ali Pashës kërkonin nga bashkëkombasit e tyre që të vërtetonin prejardhjen e përbashkët nëpërmjet fshatrave ose krahinave nga ata e kishin origjinën. Për të vërtetuar prejardhjen e tyre gjeografike dhe etnike, shqiptarët i referoheshin edhe një ose më shumë paraardhësve të përbashkët që ishte shquar në betejat e shumta kundër sundimit osman. Në qoftë se për shqiptarët ishte figura e Skënderbeut që shërbeu për të mishëruar një të shkuar historike e gjeografike të përbashkët, grekëve u mungonte një i tillë. Veçse ashtu si grekët, edhe shqiptarët, myslimanë ose të krishterë qofshin, shfrytëzonin urrejtjen kundër pushtuesit për të krijuar shpirtin e tyre nacionalist. Politika e pavarur e Ali pashë Tepelenës dhe përpjekjet e tij për bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm gjetën mishërimin e tyre në këngët popullore. Sipas Likut, ishin të shumtë shqiptarët që i hidhnin në vargje bëmat e Ali Pashës (Leake: po aty, f. 463), kurse sipas Hughes, kur flitej për bashkim dhe rezistencë kundër osmanëve, ata e konsideronin Pashain nga Tepelena heroin e tyre. (Hughes, S. Th.: Travels in Sicily, Greece and Albania…, 1820, f. 253). Edhe A. Slade shkruante: “Ali Pasha është heroi i shqiptarëve, me një influencë që s’e kishte pasur askush që nga koha e Skënderbeut”. (Slade, A.: Records of travels in Osmaney, Greece…, 1823, f. 252, në I. Ushtelenca, po aty, f. 144). Kurse Hobhauz vëren se: “Nuk mund të gjendej ndonjë këngë ku emëri i Ali pashë Tepelenës të mos gjëmonte dhe të mos shqiptohej me energji të veçantë”. (Hobhauz, po aty, f. 26-30).Për Ali Pashën dhe intelektualët patriotë shqiptarë ishte e qartë se konsolidimi i shqiptarëve si komb i bashkuar shtronte si kërkesë të domosdoshme kapërcimin e prapambetjes në shkrimin e shqipes, e trashëguar nga sundimi i tejzgjatur otoman.Prej disa shekujsh gjuha amtare flitej vetëm në shtëpitë e shqiptarëve.Ajo nuk përdorej në administratën publike, institucionet fetare dhe as mësohej në shkolla. Në kushtet ku ndodhej Shqipëria, gjuha shqipe në kisha, xhami dhe shkolla mund të vendosej vetëm pas perfeksionimit të alfabetit, të drejtshkrimit edhe përkthimit të literaturës fetare. Dhjetëvjeçarët e fundit të shek. XVIII njohën një gjallërim më të madh në drejtim të lëvrimit të gjuhës shqipe. Grigor Voskopojari solli në shqip copa të Ungjillit, kurse Dhaskal Todri shqipëroi Dhiatën e re dhe Dhiatën e vjetër, ndonëse nuk arriti t’i botonte. Këto përpjekje u shtuan në fillim të shekullit XIX, sidomos në Janinë, me nxitjen e Ali pashë Tepelenës. Me shtysën e Ali Pashës, dr. Vangjel Meksi kishte hartuar projektin e tij që do të përfundonte me realizimin e ëndrrës së hershme të shqiptarëve kristianë, shqipërimin e Dhiatës së Re. Ai shkoi në këtë stad kulmor gradualisht dhe i sigurt. Shqipërimi i Dhiatës së Re nga dr. Vangjel Meksi ishte për gjuhën shqipe një ngjarje kulturore e filologjike me rëndësi, sepse vërtetonte se shqipja ishte një gjuhë e aftë edhe për përdorim letrar,thote Dr Fedhon Meksi.

 


Free Blogger Albert Pasho

Nessun commento:

Posta un commento

Ali Pashe Tepelena, nje jete lufte per Shqiperine ( Ars Grigorij L'vovic, arkivat Ruse)

 Fuqia e Sulltanit po dobesohej gjthnje e me shume,duke perfituar nga kjo Ali Pashe Tepelena ndogji me vendosmeri dhe fuqimisht, politiken e...