-Në fillim dukej si një pakujdesi apo një luhatje e lehtë tensioni, por kur lëkundjet u shtuar dhe qelqet mbi bufe filluan të kërkëllisnin me një zhurmë tmerruese, u kuptua se ishte ai... tërmeti. Vetëm një sekondë më pas paniku nuk të lë të bësh ato gjera që i ke mësuar me kohë, të hapësh dyer e dritare dhe të futesh poshtë arkitraut, i cili është dhe vendi më i sigurt nga ku mund të mbetesh gjallë nëse ndërtesa për fat të keq shembet dhe muret bien. Kështu ndodh pak a shumë kur bie tërmet. Por ka dhe nga ata që rreziku i bën t’u turren shkallëve për të dalë sa më parë nga korridoret e ngushta të pallatit, qoftë ky dhe me dymbëdhjetë kate. E pas kësaj e ndajnë mendjen që për të mos rrezikuar më jetën, të flenë jashtë, në lulishte a qiell të hapur...
...Por a ka ndodhur kështu kështu në rastin kur në zonë e caktuara në Shqipëri është goditur rëndë nga kjo dukuri e natyrës? Hazis Pasho, i cili për një periudhë kohe ka qenë Sekretari i Parë i rrethi të Tepelenës, kujton tërmetin e 44 viteve më parë, atë të vitit 1969, i cili shkretoi dy fshatra të rrethit të Tepelenës, Rabien e Izvorin...
Sa i fuqishëm ishte tërmeti i vitit 1969?
Në 3 prill 1969 rrethi i Tepelenës u godit nga një tërmet, ku epiqendra ishte në fshatrat Izvor e Rabie me fuqi goditëse të përbashkëta nga 7 deri 8 ballë, i cili bëri dhe rrafshimin e të gjitha ndërtesave ku kishin epiqendrën dhe dëmtimet e shumta rreth tyre. Kështu, më 3 prill 1969 u rrafshuan 842 banesa dhe u dëmtuan 5331 të tjera. Në Rabie nga 75 banesa, 70 mbetën vetëm me themele kurse në Izvor nga 109 shtëpi, 86 u bënë gërmadha.
A kishte viktima në njerëz?
Natyrisht që këto tërmete u pasuan me viktima e të plagosur. Kështu në një tërmet të rënë në vitin 1865 vetëm në një familje në Rabie vdiqën 13 vetë ndërsa në Klos të Mallakastrës rreth 50 kilometra në perëndim, humbën jetën 14 persona brenda së njëjtës familje. Kurse në 3 prill të vitit 1969 pati një të vdekur dhe 65 të plagosur vetëm në Rabie dhe Izvor. Në të dy tërmetet pati çarje tokash me gjatësi deri në 5 kilometra dhe gjerësi 10-15 metra. Ata u ndjenë fuqishëm në Italinë e jugut, veriun e Greqisë dhe në perëndim të Maqedonisë. Këto rastësi në periudha kohore 104 vjet njëri pas tjetrit ndryshonin vetëm në aspektin si u përjetuan nga banorët, kushtet klimaterike dhe mundësitë njerëzore e materiale për të eliminuar pasojat.
Cilat ishin kushtet sociale e klimaterike sipas viteve?
Dimri në ato vite në Shqipërinë e jugut ishte i ashpër sepse dëbora kishte mbuluar vendin anembanë. Kishte rënë dëborë e rëndë dhe në pesë fusha pëllëmbë, se çante mali me këmbë. Gjendja ishte e mjeruar siç e ka shkruar konsulli rus Trojanovski. “...edhe shumë familje që kanë qenë dikur mirë kanë rënë në gjendje të rëndë varfërie. Kanë filluar të shesin tokat e të largohen nga vendi i tyre në shtete të tjera.” Kurse konsulli austriak J.G.Han shkruan: “Të gjithë ata që rrëmojnë, ndërtojnë, sharrojnë, gjegin qymyr në Turqinë evropiane dhe në Greqi, janë shqiptarë”. Këto e pasoja të tjera shkatërruese për shqiptarët vinin nga sundimi i gjatë osman, taksat e rënda, marrja e dërgimi ushtar i djemve në shtete të tjera dhe kryengritjet e njëpasnjëshme të shqiptarëve për liri e pavarësi. Sikur të mos mjaftonin këto, natyra e goditi me tërmetin shkatërrues e vdekjeprurës më 10 tetor 1865 duke i lënë në mes të dimrit në qiell të hapur, pa ekonomi dhe pa mbështetje”. Të keqen, edhe pse s’e do njeri, të vjen pa pyetur, prandaj ajo duhet përballuar e kapërcyer për të mbijetuar. Kështu vepruan edhe Rabiotët dhe Izvorasit dhe këtë herë për të ringritur banesat e tyre vetëm me ndihmën e miqve, derisa iu kthyen normalitetit mbas shumë vitesh. Mirëpo jeta nuk dihet si vërtitet. E papritura nuk pritet. Vjen e të zë derën për mirë apo për keq.
Si do të përballohej kjo situatë?
Ashtu si në vitet 1860-1878, banorët trima, punëtorë e liridashës të Rabies e Izvorit për të dytën herë pas 78 vitesh u gjendën përballë së njëjtës situatë. Në luftë me varfërinë dhe agresorët fashistë që iu kishin marrë lirinë e pavarësinë me pushtimin e 7 prillit 1939. Përsëri duhej t’i dilnin vetes për zot sepse pushtetarët e kohës pasi e shitën vendin, mbushën xhepat me florinj dhe ia mbathën nga sytë këmbët. Nga gjiri i tij dolën të tjerë Ali Pashë e Tafil Buzë, që lirinë e kishin në gjak dhe e mbronin me çdo sakrificë. Populli patriot i Rabies dhe Izvorit ashtu sikundër sundimit osman u ngritën përsëri në luftë. Rabia ishte një nga qendrat ku u zhvilluan disa beteja me pushtuesit italianë që vinin nga Fieri e Berati me synim të depërtonin në brendësi të zonës së Krasit të cilën jo vetëm nuk e morën dot duke ardhur dy herë nga Tepelena, por pësuan dëme të mëdha në njerëz e materiale në luftimet e Mogiles dhe afër Miricës nga çeta partizane dhe pjesëmarrja masive e popullit të fshatrave të zonave të Krahës-Buzë. Në Rabie u derdh gjaku lumë ngatë vrarët e dy palëve në luftime, prandaj populli i këndoi: “Vranë dervish edhe baba/ u bë sin e Qorrbela”. Italianët në teqenë e Rabies bënë masakër. Pasi kishin vrarë kryetarin dhe sekretarin e këshillit, më 25 korrik 1943 kapën dhe vunë para skuadrës së pushkatimit 10 burra e të rinj midis të cilëve klerikun Baba Abaz Rabia dhe dervishin, Feim Azbi Mahmutaj sepse e kishin kthyer teqenë në çerdhe të propagandës e të luftës çlirimtare duke siguruar mbështetje masive të besimtarëve dhe banorëve të zonës. Baba Abazi ra heroikisht sëbashku me të tjerët dhe sfidoi provokimin e italianëve që i kërkuan të veçohej nga bashkëpunëtorët e tij para se t’i pushkatonin, me qëllim t’i përçanin dhe të humbiste besimin, influencën dhe mbështetjen e madhe që kishte, por ai nuk pranoi dhe u tha: “Do të vdes së bashku me besimtarët e luftëtarët e mi, prandaj Jezitë bëni punën tuaj. Populli ynë do të fitojë kurse ju do të humbisni”. Emri i këtij kleriku patriot, në shenjë nderi e respekti iu dha batalionit partizan të Tepelenës i cili e mbajti me nder dhe në të gjitha luftimet brenda e jashtë atdheut, pasi u bë zemra e brigadës së gjashtë sulmuese heroike, prandaj dhe iu këndua: “Batalion Baba Abaz, ti në ballë, lavdia pas”.
Dy tërmete në prill
Hazis Pasho thotë: “Pas çlirimit të vendit si kudo edhe në Tepelenë, filloi të ketë ndryshime pozitive dhe të shënohen suksese ku më shumë e ku më pak. Në të gjitha drejtimet duke filluar nga arsimi, shëndetësia, ekonomia etj. Pa e marrë mirë veten, 25 vjet pas çlirimit, më 3 prill 1969, Rabia dhe Izvori u rrafshuan përsëri nga një tërmet i fuqishëm 7 ballësh duke lënë veç gërmadhave, të vrarë e të plagosur. Prilli i zi, i 7 prillit 1939 u pasua nga 3 prilli fatkeq i 1969 por tani në kushte e gjendje më të favorshme. Banorët e blegtoria u sistemuan më lehtë me mjete rrethanore. Të plagosurit u shtruan në qendrën mjekësore të zonës dhe në spitalin e rrethit. Nevojat për produkte ushqimore e blegtorale plotësoheshin nga ekonomia individuale dhe e përbashkët. Ngjarja e rëndë në Rabie dhe Izvor shqetësoi dhe preokupoi jo vetëm banorët e tyre por të gjithë popullin e zonës e të rrethit, gjithë organet e pushtetit, partisë dhe ekonomisë që nga zona deri në qendër siç pasqyrohet në vargjet e këngës popullore: “Ra tërmeti erdh haberi/ telefon u gdhi Enveri/ Izvor e Rabie, tha/ do bëhen fshatra të ra”.
Zona sizmike, Tepelena, një tërmet në 10 vjet
“Tepelena sipas fakteve të evidentuara e publikuara nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë rezulton zonë aktive sizmike. Afërsisht në çdo dhjetë vjet mesatarisht ka rënë nga një tërmet. I pari ka ndodhur më 10 gusht të vitit 1859 kurse i fundit është regjistruar në 29 nëntor 1992. Epiqendrat e tyre, koha në ditë, muaj e vite, fuqia në ballë, vendet që kanë prekur dhe dëmtimet në njerëz e materiale janë evidentuar dhe përshkruar me hollësi nga stacionet sizmike të shteteve fqinje dhe ai shqiptar i krijuar në vitin 1963. Për fuqinë shkatërruese, shtrirjen, ndjeshmërinë dhe dëmet në njerëz e materiale veçohen tre prej tyre: ai i tetorit 1865, nëntorit 1920 dhe 3 prillit 1969. Dy nga këto tërmete, ai i vitit 1865 dhe 1969 kanë pasur shumë karakteristika të përbashkëta. Epiqendrën në fshatrat Izvor e Rabie me fuqi goditëse të përbashkëta nga 7 deri 8 ballë, rrafshimin e të gjitha ndërtesave ku kishin epiqendrën dhe dëmtimet e shumta rreth tyre”.
Komisari i Shtabit/ Rinia, aheng pas pune
“Më takoi të punoja një muaj komisar i shtabit të Izvorit duke zëvendësuar të respektuarit Mersin Meraj nga Zhabokikaj me të cilin kisha punuar në vitet ‘60-’66 në komitetin ekzekutiv të rrethit. Komandant të shtabit të Izvorit gjeta dhe lashë Faik Veizin, ish-drejtor i minierës së qymyrgurit. Ai nderohej e respektohej nga të gjithë sepse fliste pak dhe punonte shumë, ndodhej kudo që kishte probleme dhe me kompetencë u jepte atyre zgjidhjen më të mirë. Kujdesi për trajtimin dhe argëtimin e aksionistëve ishte i veçantë dhe i vazhdueshëm. Në mencë nuk mungonte qumështi, djathi, gjalpi e reçeli që përbënin menunë kryesore për mëngjes, kurse në drekë mishi e perimet ishin të vazhdueshme. Për të kaluar sa më mirë kohën e lirë, Faiku ftonte e siguronte grupe artistike amatore e profesioniste dhe kinemanë lëvizëse për të argëtuar aksionistët. Në të njëjtën kohë ndiqej me kujdes e këmbëngulje puna për të siguruar e sjellë në kohë bazën e nevojshme materiale dhe përgatitjen e pajisjeve për objektet social-kulturore”.
Ndërtimi i banesave, gusht, përfundimi i aksionit
“Deri në fund të gushtit u arrit të ndërtoheshin 200 apartamente dhe 50 objekte social-kulturore. U asfaltuan qendrat e dy fshatrave dhe rrugët brenda tyre. U ndërtuan dy shtëpi kulturore, ambientet e shkollave fillore, 8-të vjeçare dhe një shkollë e mesme. U ndërtuan çerdhet e kopshtet për fëmijë, dy qendra shëndetësore, mapo e dyqane ushqimore e veshmbathje, lokale për kafe e pije, zyra për organet e pushtetit vendor, organizatat e masave dhe administratën e kooperativës bujqësore, ujësjellësit për të furnizuar çdo banesë me ujë të pijshëm dhe centrali telefonik në qendër të Izvorit. Gjatë kësaj kohe u sollën e u vendosën pajisjet e nevojshme në të gjitha objektet social-kulturore. Gjithashtu familjet punuan për futjen e sistemimin e plaçkave e orendive në banesat e tyre. Për t’i ndihmuar nga qytetet Tepelenë e Memaliaj u dërguan shumë gra e vajza të cilat bashkë me amvisat e fshatit rregulluan me shije, gjithçka kishin brenda e jashtë banesave. Të gjitha shpenzimet e ndërtimit të apartamenteve, objekteve social-kulturore, ato të shërbimit dhe pajisjet e tyre së bashku me ujësjellësit dhe asfaltimin, u përballuan nga fondet e buxhetit të shtetit të parashikuara për fatkeqësitë natyrore. Pasi përfundoi çdo gjë dhe familjet u strehuan në banesat e tyre, banorët në Rabie bashkërisht organizuan festë popullore duk ftuar edhe nga ata që morën pjesë dhe kontribuan në ndërtimin e fshatrave të tyre. Këto festa u organizuan në 15-të ditshin e dytë të muajit gusht, fillimisht në Rabie. Në këtë festë mori pjesë dhe përshëndeti ish-kryeministri i asaj kohe Mehmet Shehu”.
Enveri ngriti shtetin në këmbë
Tërmeti i 3 prillin 1969 shkaktoi aq dëme sa ngritin në këmbë jo vetëm strukturat e shtetit, por Byronë Politike dhe vetë Enver Hoxhën, i cili mori rrugën për të qenë i pranishëm në fillimin e punimeve për zhdukjen e pasojave të këtij tërmeti. Duke kujtuar këtë ngjarje ish-sekretari i Parë i Tepelenës, Hazis Pasho rrëfen: “Më 6 prill 1969, tre ditë pasi kishte rënë tërmeti, në Tepelenë erdhi Enver Hoxha i cili mori takim me banorët e fshatrave të dëmtuara dhe punonjës të tjerë të qyteteve Tepelenë e Memaliaj në mitingun e madh që u bë në qendër të ish-lokalitetit të Krahësit. Po atë ditë, ai shkoi në fshatin Ninesh të Mallakastrës i cili ishte dëmtuar nga tërmeti dhe bisedoi me banorët e tij dhe të fshatrave përreth. Të gjithë ishin të bindur se ky premtim do të bëhej realitet siç kishte ndodhur më parë sepse fjalët ishin materializuar në vepra në interes të vendit e të popullit. As nostalgjikët më fanatikë të sistemit të kaluar dhe as kundërshtarët e djeshëm e të sotëm të tij që mohojnë e nxijnë gjithçka, nuk mund të ndryshojnë faktet pozitive apo negative qofshin të çdo kohe apo sistemi, sipas qejfit dhe interesave të tyre sepse vetëm faktet e vërteta janë vetë historia e një vendi, populli apo individi. Por cilat janë faktet që tregojnë punën që u bë për eliminimin e pasojave të tërmetit shkatërrues të 3 prillit ‘69 dhe ndërtimit nga e para të fshatrave Izvor e Rabie në rrethin e Tepelenës? Menjëherë u dërguan nga Tirana grupet e specialistëve për të bërë studimin hidrogjeologjik, për të përcaktuar vendet ku do të sistemoheshin fshatrat e reja dhe nevojat për banesa 1+1, 2+1 dhe 3+1 dhe objektet social-kulturore, ndërtimi dhe riparimi i rrugëve automobilistike Luftinjë-Izvorë dhe Gllav-Rabie për të sjellë bazën materiale. Institutet e specializuara hartuan projektet dhe preventivat, e përcaktuan bazën materiale për ndërtim, dyer e dritare, instalimet elektrike e hidraulike, pajisjet për objektet social-kulturore e gjithçka tjetër të nevojshme. U përcaktuan burimet e furnizimit me bazë materiale dhe mjetet e transportit për ta sjellë atë. U caktuan detyrat konkrete për shtabet e aksionit të cilat u ngritën jo vetëm në fshatrat Izvor e Rabie por edhe në rreth, dikasteret qendrore dhe ndërmarrjet që do të kontribuonin. Kushtet e punës e të jetesës ishin të vështira por ushqimi për pjesëmarrësit ishte i bollshëm e cilësor. Drejtuesit e shtabeve ishin kuadro të zgjedhur, si organizatorë me eksperiencë drejtuese, punëtorë të palodhur, me kontribute e cilësi të respektueshme, njerëz të preokupuar e me ndërgjegje të lartë për të plotësuar detyrat”.
Izvori e Rabia u kthyen në kantiere ndërtimi ku punohej pa ndërprerje e me turne.
Me mbarimin e këtyre përgatitjeve në kohë rekord, në Izvor u organizua ceremonia festive për fillimin e punimeve duke vendosur gurin e parë. Aty erdhi presidenti i vendit të asaj kohe, Haxhi Lleshi i shoqëruar nga ministri i ndërtimeve Rrahman Hanku dhe drejtues të rrethit. Fuqia punëtore u sigurua nga banorët e fshatrave të shkatërruar nga tërmeti dhe aksionistë të ardhur nga qytetet Tepelenë e Memaliaj si dhe fshatrat e rrethit të cilët vinin sipas një grafiku të caktuar. Specialistët për drejtimin e punimeve dhe drejtuesit e shtabeve të aksionit ishin nga ndërmarrjet e qyteteve të rrethit dhe rretheve të tjera që nga Dibra e largët, të cilës tepelenasit i shkuan për ndihmë në eliminimin e tërmetit të zonës Gollobordë më 30 nëntor 1967.
Nga Hazis Pasho në Gazetën "Shekulli" të 01/04/2013.Publikuar nga Eliona Lata.
Free Blogger Albert Pasho

.png)
Nessun commento:
Posta un commento