Në 20 nëntor 1920 në Tepelenë ndodhi një tërmet shkatërrimtar 8 ballëshTepelena dhe historitë e tërmeteve
– Rreth 2500 shtëpi u shkatërruan dhe mbi 15 mijë familje mbetën pa një strehë dhe pati 51 viktima
Një ngjarje tronditëse. Një ngjarje që edhe sot kujtohet me dhimbje. Në 20 nëntor 1920 në Tepelenë ndodhi një tërmet shkatërrimtar 8 ballë, i cili mori 36 jetë njerëzish dhe la të plagosur mbi 100 persona. Një tërmet i rrallë. Nga të dhënat e regjistruara në arkiva, rreth 2500 shtëpi u shkatërruan dhe mbi 15 mijë familje mbetën pa një strehë në kokën e tyre. Që atëherë e deri më sot ka pasur disa tërmete, kryesisht të vegjël e të mesëm, pa ndonjë dëm të madh e katastrofik, deri në tërmetin e 26 nëntorit 2019, me magnitudë 6.4 e shkallës rihter. 51 viktima dhe shumë të plagosur, qindra e mijëra qytetarë ngelën të pastrehë. Një ngjarje tragjike që e kujtojmë të gjithë, e që të gjithë shpresojmë të mos përsëritet më.
Zona sizmike, Tepelena, një tërmet në 10 vjet
“Tepelena sipas fakteve të evidentuara e publikuara nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë rezulton zonë aktive sizmike. Afërsisht në çdo dhjetë vjet mesatarisht ka rënë nga një tërmet. I pari ka ndodhur më 10 gusht të vitit 1859, kurse i fundit është regjistruar në 29 nëntor 1992. Epiqendrat e tyre, koha në ditë, muaj e vite, fuqia në ballë, vendet që kanë prekur dhe dëmtimet në njerëz e materiale janë evidentuar dhe përshkruar me hollësi nga stacionet sizmike të shteteve fqinje dhe ai shqiptar i krijuar në vitin 1963. Për fuqinë shkatërruese, shtrirjen, ndjeshmërinë dhe dëmet në njerëz e materiale veçohen tre prej tyre: ai i tetorit 1865, nëntorit 1920 dhe 3 prillit 1969. Dy nga këto tërmete, ai i vitit 1865 dhe 1969 kanë pasur shumë karakteristika të përbashkëta. Epiqendrën në fshatrat Izvor e Rabie me fuqi goditëse të përbashkëta nga 7 deri 8 ballë, rrafshimin e të gjitha ndërtesave ku kishin epiqendrën dhe dëmtimet e shumta rreth tyre”.
Dorëshkrimet e kohës
Në fillim dukej si një pakujdesi apo një luhatje e lehtë tensioni, por kur lëkundjet u shtuar dhe qelqet mbi bufe filluan të kërkëllisnin me një zhurmë tmerruese, u kuptua se ishte ai… tërmeti. Vetëm një sekondë më pas paniku nuk të lë të bësh ato gjëra që i ke mësuar me kohë, të hapësh dyer e dritare dhe të futesh poshtë arkitraut, i cili është dhe vendi më i sigurt nga ku mund të mbetesh gjallë nëse ndërtesa për fat të keq shembet dhe muret bien. Kështu ndodh pak a shumë kur bie tërmet. Por ka dhe nga ata që rreziku i bën t’u turren shkallëve për të dalë sa më parë nga korridoret e ngushta të pallatit, qoftë ky dhe me dymbëdhjetë kate. E pas kësaj e ndajnë mendjen që për të mos rrezikuar më jetën, të flenë jashtë, në lulishte a qiell të hapur……Por a ka ndodhur kështu në rastin kur në zona të caktuara në Shqipëri është goditur rëndë nga kjo dukuri e natyrës? Hazis Pasho, i cili për një periudhë kohe ka qenë Sekretari i Parë i rrethi të Tepelenës, kujton tërmetin e 44 viteve më parë, atë të vitit 1969, i cili shkretoi dy fshatra të rrethit të Tepelenës, Rabien e Izvorin…
Tërmeti i vitit 1969
Në 3 prill 1969 rrethi i Tepelenës u godit nga një tërmet, ku epiqendra ishte në fshatrat Izvor e Rabie me fuqi goditëse të përbashkëta nga 7 deri 8 ballë, i cili bëri dhe rrafshimin e të gjitha ndërtesave ku kishin epiqendrën dhe dëmtimet e shumta rreth tyre. Kështu, më 3 prill 1969 u rrafshuan 842 banesa dhe u dëmtuan 5331 të tjera. Në Rabie nga 75 banesa, 70 mbetën vetëm me themele, kurse në Izvor nga 109 shtëpi, 86 u bënë gërmadha.
A kishte viktima në njerëz?
Natyrisht që këto tërmete u pasuan me viktima e të plagosur. Kështu në një tërmet të rënë në vitin 1865 vetëm në një familje në Rabie vdiqën 13 vetë, ndërsa në Klos të Mallakastrës rreth 50 kilometra në perëndim, humbën jetën 14 persona brenda së njëjtës familje. Kurse në 3 prill të vitit 1969 pati një të vdekur dhe 65 të plagosur vetëm në Rabie dhe Izvor. Në të dy tërmetet pati çarje tokash me gjatësi deri në 5 kilometra dhe gjerësi 10-15 metra. Ata u ndjenë fuqishëm në Italinë e jugut, veriun e Greqisë dhe në perëndim të Maqedonisë. Këto rastësi në periudha kohore 104 vjet njëri pas tjetrit ndryshonin vetëm në aspektin si u përjetuan nga banorët, kushtet klimaterike dhe mundësitë njerëzore e materiale për të eliminuar pasojat.
Kushtet sociale e klimaterike sipas viteve.
Dimri në ato vite në Shqipërinë e jugut ishte i ashpër, sepse dëbora kishte mbuluar vendin anembanë. Kishte rënë dëborë e rëndë dhe në pesë fusha pëllëmbë, se çante malin me këmbë. Gjendja ishte e mjeruar siç e ka shkruar konsulli rus Trojanovski. “…edhe shumë familje që kanë qenë dikur mirë kanë rënë në gjendje të rëndë varfërie. Kanë filluar të shesin tokat e të largohen nga vendi i tyre në shtete të tjera.” Kurse konsulli austriak J.G.Han shkruan: “Të gjithë ata që rrëmojnë, ndërtojnë, sharrojnë, djegin qymyr në Turqinë evropiane dhe në Greqi, janë shqiptarë”. Këto e pasoja të tjera shkatërruese për shqiptarët vinin nga sundimi i gjatë osman, taksat e rënda, marrja e dërgimi ushtar i djemve në shtete të tjera dhe kryengritjet e njëpasnjëshme të shqiptarëve për liri e pavarësi. Sikur të mos mjaftonin këto, natyra e goditi me tërmetin shkatërrues e vdekjeprurës më 10 tetor 1865 duke i lënë në mes të dimrit në qiell të hapur, pa ekonomi dhe pa mbështetje”. Të keqen, edhe pse s’e do njeri, të vjen pa pyetur, prandaj ajo duhet përballuar e kapërcyer për të mbijetuar. Kështu vepruan edhe Rabiotët dhe Izvorasit dhe këtë herë për të ringritur banesat e tyre vetëm me ndihmën e miqve, derisa iu kthyen normalitetit mbas shumë vitesh. Mirëpo jeta nuk dihet si vërtitet. E papritura nuk pritet. Vjen e të zë derën për mirë apo për keq.
Përballimi i situates.
Ashtu si në vitet 1860-1878, banorët trima, punëtorë e liridashës të Rabies e Izvorit për të dytën herë pas 78 vitesh u gjendën përballë së njëjtës situatë. Në luftë me varfërinë dhe agresorët fashistë, që iu kishin marrë lirinë e pavarësinë me pushtimin e 7 prillit 1939. Përsëri duhej t’i dilnin vetes për zot, sepse pushtetarët e kohës pasi e shitën vendin, mbushën xhepat me florinj dhe ia mbathën nga sytë këmbët. Nga gjiri i tij dolën të tjerë Ali Pashë e Tafil Buzë, që lirinë e kishin në gjak dhe e mbronin me çdo sakrificë. Populli patriot i Rabies dhe Izvorit ashtu sikundër sundimit osman u ngritën përsëri në luftë. Rabia ishte një nga qendrat ku u zhvilluan disa beteja me pushtuesit italianë, që vinin nga Fieri e Berati me synim të depërtonin në brendësi të zonës së Krasit, të cilën jo vetëm nuk e morën dot duke ardhur dy herë nga Tepelena, por pësuan dëme të mëdha në njerëz e materiale në luftimet e Mogiles dhe afër Miricës nga çeta partizane dhe pjesëmarrja masive e popullit të fshatrave të zonave të Krahës-Buzë. Në Rabie u derdh gjaku lumë nga të vrarët e dy palëve në luftime, prandaj populli i këndoi: “Vranë dervish edhe baba/ u bë sin e Qorrbela”. Italianët në teqenë e Rabies bënë masakër. Pasi kishin vrarë kryetarin dhe sekretarin e këshillit, më 25 korrik 1943 kapën dhe vunë para skuadrës së pushkatimit 10 burra e të rinj midis të cilëve klerikun Baba Abaz Rabia dhe dervishin, Feim Azbi Mahmutaj, sepse e kishin kthyer teqenë në çerdhe të propagandës e të luftës çlirimtare duke siguruar mbështetje masive të besimtarëve dhe banorëve të zonës. Baba Abazi ra heroikisht sëbashku me të tjerët dhe sfidoi provokimin e italianëve që i kërkuan të veçohej nga bashkëpunëtorët e tij para se t’i pushkatonin, me qëllim t’i përçanin dhe të humbiste besimin, influencën dhe mbështetjen e madhe që kishte, por ai nuk pranoi dhe u tha: “Do të vdes së bashku me besimtarët e luftëtarët e mi, prandaj Jezitë bëni punën tuaj. Populli ynë do të fitojë kurse ju do të humbisni”.
Ne foto;Grate e Tepelenes dhe banoret e zones ne rindertimin e shtepive dhe objekteve social-kulturore te demtuara nga termeti i fuqishem i Izvor-Rabies i vitit 1969,e para nga e majta Adelina Pasho (Koçiu) aktiviste e grave shqiptare
Free Blogger Alber Pasho